Lajme

Konventa vjetore e MINT për promovimin dhe tërheqjen e investimeve në Kosovë

Prishtinë, 15/12/2022

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përmes KIESA'së dhe Këshillit Evropian të Investitorëve (EIC) organizuan konferencën vjetore për promovimin dhe tërheqjen e investimeve në Kosovë, si dhe adresimin e sfidave me qëllim të përmirësimit të klimës së investimeve në vend.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, në fjalën e saj hyrëse foli për proceset e politikë-bërjes në industri, ndërmarrësi si dhe për nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve, duke theksuar se zhvillimi i sektorëve të industrisë përpunuese është shumë i rëndësishëm për ekonominë e vendit, me kontribut të  drejtpërdrejtë  në rritjen e vlerës së prodhimit në vend dhe në rritjen e numrit të punësuarve me profile të ndryshme.

Ministrja Hajdari, vlerësoi lartë gjetjet nga studimet e zinxhirëve të vlerës për shtatë sektorët  e industrisë përpunuese - drurit, mobilerisë, plastikës, minerale jo metalike,  të asaj metalike, ushqimit dhe pijeve, si dhe kimikateve, si përformuesit më të mirë  dhe me kompetencë të fuqisë punëtore në prodhim, të cilët  kontribuojnë më së shumti në objektivat për Strategjinë për zhvillim të industrisë dhe mbështetje të biznesit, e cila gjatë kësaj jave do të përcillet për konsultime paraprake.

Ministrja Hajdari, theksoi përparësitë konkurruese për investime që ka vendi ynë, dhe progresin e MINT në plotësimin e legjislacionit për investime dhe politika tregtare, këtë vit, sipas praktikave më të mira ndërkombëtare dhe në harmoni me legjislacionin e BE-së, me qëllim për integrimin e fuqishëm ekonomik dhe tregtar me vendet dhe principatat e BE-së. 

 Ligji për investime të qëndrueshme; ligji për parqet industriale dhe teknologjike; ligji për inovacion dhe ndërmarrësi; ligji për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale; ligji për mbrojtjen e konkurrencës dhe ligji për turizmin, janë disa nga ligjet kryesore të hartuara dhe plotësuara gjatë këtij viti, që do të  ndikojnë në përmirësimin e ambientit të të bërit biznes në vendin tonë, rritjen e investimeve dhe rritjen e eksporteve të prodhimeve vendore në vendet e BE-së dhe më gjerë.

Me fjalë rasti të pranishmëve iu drejtua edhe Kryeministri i Kosovës, z. Albin Kurti, i cili tha se Kosova qëndron më mirë në sundimin e ligjit se sa vendet e rajonit, duke u radhitur e para në Ballkan dhe e dyta në mesin e 14 vendeve të Evropës Lindore, që ende nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian. Ai shprehu vizionin qeveritar që Kosova të bëhet shtet lider në investimet e huaja direkte dhe në eksporte në rajonin e 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Vlerësim pozitiv kishte edhe nga znj. AnnaCarin Platon, udhëheqëse e Sektorit të Politikave Ekonomike dhe Integrimit Evropian pranë Zyrës së BE-së, e cila tha se përkundër sfidave, ekonomia e Kosovës në vitet e fundit ka shënuar një normë pozitive të rritjes ekonomike. 

Ndërkaq, Kryesuesja e Këshillit të Investitorëve Evropianë, znj. Eriola Bibolli, tha se Kosova ka edhe më shumë potencial të zhvillimit.

Fjalimet vazhduan me panelin e diskutimit rreth investimeve dhe eksportit, me përfaqësim nga KIESA, EIC, Shoqata e Përpunuesve të Drurit, Fondi Kosovar për Garanci të Kredive, Dogana e Kosovës dhe me reflektime nga shumë përfaqësues të biznesit, duke vënë në pah progresin në rritje të investimeve dhe eksport si dhe nevojën për krijim të bashkëpunimeve të strukturuara në të mirë të rritjes së prodhimit në vend, heqjen e vizave për të lehtësuar eksportin në vendet e BE-së dhe për një industri më të integruar globalisht.