Lajme

MINT shënon Javën Ndërkombëtare të Konsumatorit

Prishtinë, 17/03/2023

Ministrja, Rozeta Hajdari, tha se Java Ndërkombëtare e Konsumatorit i përfshin të gjithë, duke theksuar detyrimin e veçantë të MINT, për të qenë sa më përgjegjës ndaj nevojave të konsumatorit dhe për të çuar përpara interesat e shëndosha të konsumatorëve.

Ndërkaq, kryesuesja e Këshillit për Mbrojtjen e Konsumatorit, znj. Safete Rexhepi, vuri theksin te përqindja e rritur e ankesave e që përkthehet në besueshmëri të qytetarëve ndaj institucioneve tona.

Më poshtë, fjalimi i plotë i Ministres Rozeta Hajdari:

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Ju falënderoj që i jeni përgjigjur thirrjes sonë për të përcjellë këtë konferencë, në të cilën do të flasim për Javën Ndërkombëtare të e Konsumatorit.

Ne po shënojmë këto ditë Javën Ndërkombëtare të Konsumatorit, e cila sipas përkufizimit, na përfshinë të gjithëve.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka një detyrim të veçantë për të qenë vigjilent ndaj nevojave të konsumatorit dhe për të çuar përpara interesat e shëndosha të tij.

Krijimi i një ambienti tregtar, shërbyes e konsumues me çmime jo të tepruara, me cilësi sa më të sigurt, me mundësi të zgjedhjes duke qenë konsumatori i informuar, me produkte jo-inferiore etj, janë objektivi ynë, sepse në të kundërt, rrezikojmë që paraja e tij të shpërdorohet, shëndeti, siguria dhe interesi kombëtar të kërcënohen.

Për të promovuar realizimin më të plotë të të drejtave të konsumatorit, me të fituar të drejtën e qeverisjes, ne e kemi parë të nevojshme, zhvillimin e një game të gjerë veprimesh adekuate ligjore e praktike.

Për fuqizim të së drejtës së konsumatorit, ne kemi miratuar një vistër ligjesh e Udhëzimesh Administrative, që kanë impakt direkt në mbrojtjen dhe kujdesin ndaj konsumatorëve.

Ligji për Mbrojtjen e Konkurrencës, Ligji për Markat Tregtare, Ligji për Inspektimet, e disa ligje tjera të miratuara vitin e kaluar, kanë forcuar aspektin rregullativ juridik. MINT ka nxjerr edhe disa Udhëzime Administrative, në kuadër të kujdesit ndaj konsumatorëve, në mesin e tyre edhe ai për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtërishme dhe masat e tjera mbrojtëse, i cili rregullon çmimet tavan. Ne kemi kaluar në Parlamentin e Kosovës edhe Ligjin për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në raste të veçanta të destabilizimit të tregut, që pos tjerash, do të mundësonte përcaktimin e çmimeve maksimalisht të lejuara për produktet esenciale, por i cili është bllokuar si pasojë e dërgimit të tij në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, nga një subjekt politik opozitar (LDK).

Mbështetur në Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit, ne kemi miratuar në Qeveri edhe Programin për Mbrojtjen e Konsumatorit 2021-2025 dhe ndërmarrë veprime konkrete në terren. Programi ka për vizion konsumatorë të fuqizuar, të sigurt dhe me besim në treg të ndershëm e konkurrues, ku ata mund të marrin pjesë në mënyrë aktive, duke ushtruar të drejtat dhe fuqinë e zgjedhjes së mirë-informuar në blerjen e mallrave dhe shërbimeve.

Në funksion të përmirësimit cilësor të shërbimeve, MINT si prioritet ka fuqizimin e konsumatorëve në Republikën e Kosovës, të mbrojë interesat ekonomike të tyre, çështjen e sigurisë, zgjedhjes, cilësisë, çmimit, larmisë, disponueshmërisë, etj., e të ofrojë për konsumatorët mbikëqyrje bashkëkohore dhe transparencë të tregut, si dhe të mbrojë ata efektivisht nga rreziqet të cilët ata nuk mund t’i trajtojnë e zgjidhin në mënyrë individuale.

Fuqizimi i konsumatorëve nuk është vetëm një e drejtë, por ka të bëjë edhe me krijimin e një mjedisi të përgjithshëm që u mundëson atyre të shfrytëzojnë këto të drejta dhe të përfitojnë prej tyre, që do të thotë krijim i një sistemi në të cilin ata mund të mbështeten.

Programi ngërthen në vete edhe prioritetet si dhe masat adekuate, të cilat, në faza të caktuara të zbatimit të tij, duhet t’i ndërmarrë me përkushtim e gjithë shoqëria me synim të zhvillimit të mëtejmë dhe të avancimit të të arriturave, rrjedhimisht të sukseseve, në planin e sendërtimit të obligimeve kushtetuese dhe ligjore.

Brenda këtij koncepti, parimet themelore mbi të cilat ndërtohen dhe zbatohen politikat për mbrojtjen e konsumatorëve në Bashkimin Evropian, të drejtat themelore të konsumatorëve, gradualisht dhe me kalimin e kohës, kanë arritur shtrirje në kuadër të shumë platformave, si:

1. E drejta për të mbrojtur jetën, shëndetin, mjedisin dhe interesat ekonomike të konsumatorit;

2. E drejta për informim dhe edukim të konsumatorit;

3. E drejta për të përfaqësuar interesat e tyre;

4. E drejta e organizimit në shoqata të konsumatorit për të mbrojtur interesat e tyre;

5. E drejta për t’u ankuar;

6. E drejta e mbrojtjes ligjore;

7. E drejta për kompensim, në raste të caktuara edhe për dëmshpërblim;

8. E drejta për shfrytëzimin e shërbimeve publike;

9. E drejta për të marrë shërbime në gjuhën e kuptueshme për konsumatorin.

Duke qenë se të gjithë ne jemi konsumatorë, këto veprime që janë në interes të konsumatorëve janë në interesin e të gjithëve neve. Përmirësimi më nivel sa më të lartë ka shënuar rritje dhe ato dobishëm prekin në disa rrafshe, në forcimin e ekonomisë sonë të lirë konkurruese, standardit tonë të jetesës, shëndetit dhe modele më të larta etike të sjelljes së biznesit.

Të nderuar përfaqësues të mediave, më lejoni të ju uroj edhe juve Ditët e Konsumatorit dhe të ju falënderoj për punën Tuaj dhe përcjelljen e aktiviteteve të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë e Tregtisë.