Ministrja Rozeta Hajdari është pritur në takim nga ministri i Tregtisë së Jashtme nga rajoni i Brukselit, z. Pascal Smet
Prishtinë,
15/05/2023
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, bashkë me Ambasadorin e Republikës së Kosovës, në Belgjikë, z. Agron Bajrami dhe Drejtorin e Departamentit për Integrime Evropiane dhe Koordinim të Politikave, z. Irfan Lipovica, është pritur në takim nga ministri i Tregtisë së Jashtme nga rajoni i Brukselit, z. Pascal Smet.
Ministrja Hajdari, e njoftoi ministrin Smet, për të arriturat e fundit që ka bërë Republika e Kosovës, në veçanti për reformat në kornizën legjislative të cilat në vazhdimësi po bëhen në përputhje me ligjet dhe legjislacionin e Bashkimit Evropian, duke theksuar treguesit ekonomik në rritje dhe raportet ndërkombëtare për sundimin e ligjit, të cilat Kosovën e rendisin të parën në rajon.
Ministri Smet, e falënderoi ministren Hajdari për vizitën dhe shprehu vullnetin për bashkëpunim, duke thënë se në koordinim me Ambasadën e Kosovës në Bruksel, do të shqyrtojnë mundësinë për organizimin e një takimi në Bruksel ose Prishtinë me qëllim të thellimit të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve.
Në takim u diskutuan edhe investimet që tashmë janë bërë në Kosovë nga kompanitë belge, e gjithashtu edhe numri i madh i diasporës kosovare që jetojnë dhe kanë biznese në Bruksel, me ç'rast ministrja Hajdari e njoftoi ministrin Smet për përmirësimin e ambientit të të bërit biznes në Kosovë dhe për lehtësirat e sigurinë që ofron vendi ynë për investitorët e huaj.
Palët u dakorduan që të bëhet një ndërlidhje me Dhomen e Tregtisë së Brukselit, ku përfaqësohen të gjitha kompanitë e Brukselit, e poashtu me "HUB Brussels" që është agjenci publike, në mënyrë që të thellohet bashkëpunimi ekonomik ndërmjet dy vendeve.