Lajme

Është mbajtur konferenca me temë “Zhvillimi i ekosistemit të bizneseve fillestare dhe inovacionit”

Prishtinë, 17/05/2023

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në bashkëpunim me Ambasadën Finlandeze në Kosovë dhe Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK) si dhe Shoqatës së TIK-ut të Kosovës - STIKK, kanë mbajtur konferencën me temë “Zhvillimi i ekosistemit të bizneseve fillestare dhe inovacionit”.

Me këtë rast, ministrja znj. Rozeta Hajdari, i falënderoi bashkë-organizatorët, bizneset, ekpertët finlandez dhe studentët për bashkëpunimin e afërt dhe pjesëmarrjen në këtë konferencë, me dy panele të diskutimit dedikuar për zhvillimin e mëtejshëm të ekosistemit të startup-eve dhe inovacionit, me shkëmbimin e përvojës së Finlandës mbi industrinë kreative me ndikim pozitiv në ekonominë e Finlandës, si dhe për rëndësinë e mbështetjes për të rinjtë tanë të talentuar dhe bizneset e reja për të përshpejtuar zhvillimin e ekosistemit me rritjen e inovacionit si shtytës për transformimin ekonomik dhe shoqëror të vendit tonë.

Duke pasur parasysh se vëmendja e shumicës së vendeve të botës, vitet e fundit po zhvendoset drejt inovacionit, ndërmarrësisë dhe krijimit të ekosistemeve që promovojnë startup-et, Kosova është e fokusuar në zhvillimin e inovacionit, digjitalizimin, promovimin dhe mbështetjen e krijimit të ndërmarrjeve të reja, të tilla si ndërmarrjet fillestare ose NVM-të inovative (Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme).

Ministrja znj. Hajdari, gjersa njoftoi të pranishmit për politikat qeveritare dhe instrumentet përkrahëse për nxitjen dhe promovimin e inovacionit dhe ndërmarrësisë, shtoi se Kosova ka infrastrukturën e dytë më të mirë të IT-së në Evropë në ekonomitë në zhvillim, bazuar në Raportin e së ardhmes së IT-së për vitin 2023, si dhe është e renditur si e para në Ballkanin Perëndimor bazuar në Raportin Botëror të Drejtësisë për Sundimin e Ligjit për vitin 2022.

Ajo tha se me hartimin e politikave qeveritare dhe me themelimin e Fondit për Inovacion dhe Ndërmarrësi, aspirohet për më shumë vende pune dhe mundësi për krjimin e bizneseve të reja të shëndosha, në mënyrë që sa më shumë të rinjë vendas të angazhohen e punojnë në vendin e tyre dhe për të përshpejtuar zhvillimin e ekosistemit me rritjen e inovacionit.

Në fjalimet e kësaj konferencë të përbashkët morën pjesë Ambasadori i Finlandës në Kosovë, z. Matti Nissinen, znj. Vjollca Çavolli, Drejtore ekzekutive e STIKK- dhe z. Isak Shabani, Dekan i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike.

Konferenca vazhdoi me dy panele diskutimi pas prezantimeve nga ekspertët qeveritar dhe nga biznesi finlandez, z. Teemu Seppälä dhe Olli Sinerma, që prezantuan përvojën finlandeze në temat “Industria kreative, trendët dhe kontributi në ekonomi” dhe “Industria krijuese finlandeze dhe ndikimi i saj në ekonominë e Finlandës – rëndësia e mbështetjes së Start Up-ve” me pyetje dhe reflektime nga pjesëmarrësit e bizneseve të fushës TIK dhe studentëve shumë të talentuar të FIEK.

Pjesë e të dy paneleve nga MINT ishin zv/ministri Mentor Arifaj dhe u.d kryeshef për KIESA z. Zef Dedaj të cilët njoftuan më shumë për proceset e hartimit të legjislacionit dhe pëkrahjes së deritanishme për të rinjtë dhe bizneset fillestare si forcë kryesore shtytëse lëvizëse për të ardhmen e ekonomisë.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, synon zhvillimin e inovacionit dhe ndërmarrësisë përmes rritjes së bashkëpunimit ndërmjet industrisë dhe akademisë, i nevojshëm për të aftësuar të rinjtë tanë për të drejtuar industrinë dhe për të përshpejtuar zhvillimin e ekosistemit me rritjen e inovacionit.