Ministrja Hajdari takoi përfaqësues të bizneseve në Izrael, i njoftoi për ambientin e të bërit biznes në Kosovë
Prishtinë,
29/05/2023
Vizita zyrtare në Izrael e ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari dhe ekipit të saj, përveç takimeve me zyrtarë të lartë, ministra e përfaqësues të institucioneve, u realizua edhe me takime të shumta me përfaqësues të bizneseve shumë të suksesshme në Izrael.
Takimet me përfaqësues të bizneseve nga fusha e inovacionit dhe teknologjisë së re, u zhvilluan në frymë shumë mikpritëse e pozitive për çështje të bashkëpunimeve, por edhe investimeve eventuale nga ana e tyre me transferim të njohurive dhe teknologjive të reja në Republikën e Kosovës.
Ministrja Hajdari, i njoftoi ata për ambientin e të bërit biznes dhe për përparësitë që posedon shteti ynë, e të cilat e bëjnë Kosovën vend të përshtatshëm, stabil e përfitues për investitorët e huaj.
Nga të gjitha takimet e zhvilluara, përfundimi ishte se Kosova dhe Izraeli mund të forcojnë bashkëpunimin në shumë fusha dhe e ardhmja duhet të rezultojë me intensifikim të komunikimit dhe ndërveprimit për të mirën ekonomike dhe jo vetëm, të të dyja vendeve.
Biznese nga Izraeli do të mirëpriten së shpejti në Kosovë, qoftë përmes takimeve individuale, apo forumeve ekonomike të cilat do të organizohen në vendin tonë.