Ministrja Hajdari takoi drejtorin e Agjencisë Austriake për Promovim, Kërkim dhe Inovacion
Prishtinë,
09/02/2024
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, ka përmbyllur vizitën zyrtare në Austri, ku përveç takimit konstruktiv me Ministrin Federal të Punës dhe Ekonomisë, z. Martin Kocher, realizoi një sërë takimesh kryesisht me institucionet austriake për zhvillim të inovacionit dhe teknologjisë dhe për mbështetje të biznesit.
Takim i rëndësishëm ishte me drejtoren menaxhuese Karin Tausz me kolegë të Agjencisë Austriake te Promovimit të Kërkimit dhe Inovacionit (FFG), të cilët njoftuan për funksionet dhe aktivitetet e kësaj agjencie në fushën e kërkimit të aplikuar dhe industrial në Austri.
Diskutimet e këtij takimi pas prezantimit të modelit austriak të Fondit për Inovacion, rezultuan me reflektime të frytshme dhe krahasime në draft ligjin për Inovacion dhe Ndërmarrësi të hartuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Republikës së Kosovës.
Ekspertiza e FFG-së me propozime dhe komente të vlefshme në finalizimin e këtij ligji është angazhuar përmes projektit “EnInGeP" me financim nga Agjencia Austriake për Zhvillim dhe duke u zbatuar nga Care International dhe ECIKS.
FFG është në pronësi të Republikës së Austrisë, përmes Ministrisë Federale të Veprimit Klimatik, Mjedisit, Energjisë, Lëvizshmërisë, Inovacionit dhe Teknologjisë dhe Ministrisë Federale të Punës dhe Ekonomisë.
Në vazhdim, vizita në Institutin Austriak të Teknologjisë (AIT), sjelli diskutime të frytshme me Drejtorin Shkencor Dr. Andreas Kugi me kolegë, ku Ministrja Hajdari me këshilltarë dhe bashkëpuntorë nga ekipi i projektit “EnInGeP", patën rastin të shohin nga afër projektet kërkimore dhe laboratorët e AIT, si instituti më i madh i kërkimit jouniversitar i Austrisë.
AIT ofron kërkime dhe zhvillim teknologjik për të realizuar risitë bazë për gjeneratën e ardhshme të teknologjive të lidhura me infrastrukturën.
I specializuar në çështjet kyçe të infrastrukturës të së ardhmes, AIT është një nyje rrjeti kombëtar dhe ndërkombëtar në fushën e shkencës dhe industrisë që mundëson inovacionin përmes ekspertizës shkencore-teknologjike, përvojës së tregut, marrëdhënieve të ngushta me klientët dhe infrastrukturës kërkimore me cilësi të lartë.
AIT është në pronësi të Republikës së Austrisë, përmes përmes Ministrisë Federale të Veprimit Klimatik, Mjedisit, Energjisë, Lëvizshmërisë, Inovacionit dhe Teknologjisë dhe nga Federata e Industrive Austriake.