Lajme

Ministrja Hajdari priti në takim deputetin e Parlamentit Britanik, Martin Vickers

Prishtinë, 16/02/2024

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari mirëpriti në takim z. Martin Vickers, Deputet i Parlamentit Britanik dhe i Dërguar i Kryeministrit për Tregti në Ballkanin Perëndimor, në shoqërim me z. Paul O’Connor, Zëvendësshef i Misionit, nga Ambasada Britanike në Prishtinë; z.Nikola Stojanoski, Drejtor i Tregtisë dhe Investimeve, në Ambasadën Britanike në Shkup, Maqedoni e Veriut; znj. Lorna Simmonds, Shefe e Programeve, Ekonomisë dhe Qeverisjes, në Ambasadën Britanike në Prishtinë dhe z. Blond Gerqari, Zyrtar për Politika Ekonomike dhe Tregtare në Ambasadën Britanike në Prishtinë.

Qëllimi i takimit ishte forcimi i bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Britanisë së Madhe.

Ministrja Hajdari shprehu mirëseardhje për delegacionin britanik duke çmuar lartë raportet mes dy vendeve dhe vullnetin për zgjerim të bashkëpunimit ekonomik, e poashtu theksoi rëndësinë e investimeve britanike në Kosovë.

Temë e takimit ishin politikat dhe reformat legjislative për përmirësimin e të bërit biznes në Republikën e Kosovës, të cilat dita ditës po rrisin besueshmërinë dhe po krijojnë një ambient të favorshëm për nxitje dhe mbrojtje të investime të huaja në vendin tonë.

I Dërguari për Tregti në Ballkanin Perëndimor, Deputeti britanik Martin Vickers shprehu kënaqësinë për progresin e arritur dhe trendet pozitive ekonomike në vendin tonë, me interesim për sjelljen e investimeve " nearshoring" në Kosovë.

​Ministrja Hajdari dhe z. Vickers diskutuan edhe për mundësinë e organizimit të një forumi ekonomik në Prishtinë, duke sjellë bizneset britanike në Kosovë, në kuadër të Marrëveshjes në fuqi për Partneritet, Tregti dhe Bashkëpunim ndërmjet Kosovës dhe Britanisë së Madhe.