MINT nis mbikëqyrjen e tahografëve
Prishtinë,
20/02/2024
Agjencia e Metrologjisë së Kosovës (AMK), në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), në bashkëpunim të afërt me Policinë e Trafikut në Republikën e Kosovës, ka nis për herë të parë mbikqyrjen në teren të mjeteve matëse ligjore - tahografëve.
Tahografët janë pajisje të përdorura në mjete transporti të rregullta, si kamionë, autobusë, dhe furgonë, për të regjistruar dhe monitoruar të dhëna të ndryshme rreth përdorimit të mjeteve të transportit.
Kryesisht, tahografët përdoren për të monitoruar kohën e dremitjes së shoferëve në transportin rrugor, për të shtuar sigurinë në rrugë dhe për të zbatuar ligjet dhe rregulloret në lidhje me kohën e punës dhe pushimeve për shoferët profesionistë.
Gjatë mbikëqyrjes së këtyre mjeteve matëse është bërë verifikimi i dokumentacionit, siç është specifikuar në ligjin për metrologji dhe rregulloret relevante për zbatimin e tyre, me qëllim të përdorimit të drejtë të mjeteve matëse të cilat janë subjekt i kontrollit ligjor metrologjik, konkretisht tahografëve.
Qëllimi i mbikëqyrjes është rritja e sigurisë së pjesëmarrësve në trafik, mbrojtja e konsumatorit, si dhe mbikëqyrja e subjekteve të emëruara (TVK) nga MINT/AMK, për tahograf të cilëve u janë caktuar detyrat për zbatimin e rregulloreve të metrologjisë ligjore.
Gjatë mbikëqyrjes janë hasur tahograf të cilët nuk kanë poseduar vërtetim të verifikimit, ku janë ndërmarrë masa administrative sipas Ligjit për Metrologji.
MINT njofton se nëse brenda afatit të caktuar nuk eliminohen parregullsitë e gjetura, do të ndërmerren masa konform ligjit në fuqi.
Mbikëqyrja e verifikimit të tahografëve, do të vazhdojë edhe ditëve në vijim, me qëllim rritjen e sigurisë publike në trafik si dhe mbrojtjen e qytetarëve përkatësisht udhëtarëve dhe të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion.