Lajme

Tetë kompani nga Kosova për herë të parë po marrin pjesë në panairin ndërkombëtar “Gulfood” në Dubai

Prishtinë, 20/02/2024

Për herë të parë tetë kompani nga Kosova po marrin pjesë në panairin ndërkombëtar të ushqimit dhe pijeve “Gulfood 2024”, një prej panaireve më të mëdha në botë , në industrinë e pijeve dhe ushqimit me mbi 5,500 ekspozues që shfaqin qindra mijëra produkte të shpërndara në 24 salla të mëdha

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), ka siguruar hapësirën ekspozuese prej 66 m2 për kompanitë tona që të promovojnë produktet e tyre në këtë panair.

Kompanitë tona: “Frutti”, “Minex”, “Eurofood”, “Camel”, “VitaFood”, “Frutex”, “Ananasi Impex”, dhe “Emona”, po ekspozojnë dhe promovojnë produktet e tyre para blerësve dhe vizitorëve nga shtete të ndryshme pjesëmarrëse si dhe po zhvillojnë kontakte me partnerët potencial në panair për gjetjen e tregjeve të reja eksportuese.

Shtandi i Kosovës të hënën është vizituar edhe nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe z. Xhabir Hamiti.

Në këtë panair përfaqësuesi i KIESA-s po zhvillon takime me pjesëmarrës si dhe po i njofton lidhur me klimën e investimeve dhe të bërit biznes në Kosovë.

Produktet e kompanive tona gjenden në sallën: Al Mustaqbal Plaza, shtandi me numër: MP-A2.

Panairi “Gulfood 2024” po mbahet në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe , nga data 19 shkurt dhe është i hapur deri më 23 shkurt 2024.