Një delegacion i MINT ka realizuar vizitë studimore në Republikën e Çekisë
Prishtinë,
22/02/2024
Me qëllim zhvillimin e Parqeve Industriale dhe Parqeve Teknologjike në Republikën e Kosovës, një delegacion nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), i kryesuar nga Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), nga data 19 deri më 21 shkurt 2024 ka realizuar vizitë studimore në Republikën e Çekisë.
Gjatë kësaj vizite, delegacioni nga MINT/KIESA ka zhvilluar takime me zyrtarë të lartë të shtetit çek, duke filluar nga Zyra e Investimeve Çeke (CzechInvest), për të vazhduar me Departamentin e Inovacionit në kuadër të Ministrisë së Industrisë dhe Tregtisë së Çekisë, dekanin e Fakultetit Teknik nga Plzen, si dhe me dy kryetarët e komunave Zdar dhe Kolin, ku kanë parë nga afër se si themelohen dhe zhvillohen parqet industriale dhe teknologjike në Çeki.
Delegacioni ka vizituar Parkun Teknologjik në Brno, Zonën Industriale në Zebrak, Zonën Industriale në Zdar nad Sazavou, si dhe Zonën Industriale në Kolin, duke përfshirë edhe vizitën në fabrikën e Toyota-s që gjendet brenda kësaj zone.
Realizimi i kësaj vizite vjen si rezultat i protokollit të përbashkët të nënshkruar në Prishtinë nga Republika e Kosovës dhe Republika e Çekisë si pjesë e Komisionit të Përbashkët Ekonomik.
Kjo vizitë për Kosovën ka shumë rëndësi për faktin se zhvillimi i parqeve industriale dhe parqeve teknologjike për MINT janë një nga objektivat kryesore për vitin 2024.
Delegacioni ka përfunduar vizitën treditore duke u takuar edhe me ambasadoren e Republikës së Kosovës në Çeki znj. Albesjana Iberhysaj.