Lajme

Kalon në lexim të parë Projektligji për Regjistrin e Pronarëve Përfitues

Prishtinë, 23/02/2024

Kuvendi i Republikës së Kosovës ka votuar në lexim të parë Projektligjin për Regjistrin e Pronarëve Përfitues, i cili ka për qëllim krijimin, funksionimin, administrimin e regjistrit të pronarëve përfitues, përcaktimin e obligimeve të personave fizik dhe subjekteve të detyruar të cilët regjistrojnë informacionin e pronësisë përfituese në regjistër, si dhe përcaktimin e masave ndëshkuese në rast të mosrespektimit të dispozitave të këtij ligji.

Përmes krijimit të regjistrit të pronarëve përfitues do të arrihet rritja e transparencës së pronësisë përfituese si dhe identifikimi i pronarëve përfitues, me qëllim që të dekurajohen personat juridik dhe marrëveshjet ligjore potenciale të ardhshme, të cilët kanë si qëllim fshehjen e identitetit të individit dhe kryerjen e veprimtarive të paligjshme në Kosovë.

Ky ligj do të mundësojë rregullimin e një fushe tejet të rëndësishme me një instrument të vetëm ligjor dhe Republika e Kosovës do t’i bashkohet grupit të shteteve të cilat zbatojnë standardet e larta për transparencën e pronësisë përfituese dhe luftimin e krimeve ekomomike.

Projektligji Për Regjistrin e Pronarëve Përfitues, është pjesërisht në përputhje me Direktivën e Bashkimit Evropian 2015/849, e plotësuar dhe ndryshuar nga Direktiva e Bashkimit Evropian 2018/843 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit Evropian, të datës 30 maj 2018, për parandalimin e përdorimit të sistemit financiar për qëllime të pastrimit të parave ose të financimit të terrorizmit.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, mbetet e përkushtuar me punë për një ambient të shëndosh për të bërit biznes dhe nxitjen e mbrojtjen e investimeve të përgjegjshme dhe të qëndrueshme në vendin tonë, në përputhje me parimet e Organizatës Për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) dhe standardet e Bashkimit Evropian.