Zëvendësministri Arifaj mori pjesë në hapjen e Panairit Ndërkombëtar të Turizmit në Kosovë
Prishtinë,
12/04/2024
Me këtë rast, zëvendësministri Arifaj potencoi rëndësinë e zhvillimit të turizmit dhe përkushtimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, për fuqizimin e këtij sektori dhe industrisë turistike në vend.
Arifaj tha se potenciali që ka Kosova në ofrimin e shumëllojshmërisë së atraksioneve turistike, duke filluar nga qytetet historike dhe kulturore, natyra shumë e bukur, monumentet historike dhe kulturore, kuzhina tradicionale, qendrat e skijimit, e shumëçka tjetër mund të mahnitë vizitorët tanë.
Ai para të pranishmëve në panair foli edhe për trendin e numrit të turistëve që ka shënuar rritje nga viti në vit si asnjëherë më parë, në veçanti numri i net qëndrimeve duke përmendur rritjen impresionuese prej 50 % të numrit të vizitorëve në Kosovë në janar të këtij viti krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar.
Zëvendësministri Arifaj tha se me synim zhvillimin e turizmit përveç Ligjit për Turizmin, për herë të parë në Republikën e Kosovës janë miratuar edhe 4 akte nënligjore për veprimtaritë e udhërrëfyesve turistik; veprimtaritë e agjencive të udhëtimit; shërbimet turistike të turizmit aktiv dhe aventuror dhe regjistrin e turizmit.
Krahas ligjit dhe akteve nënligjore, hartuam Strategjinë e Turizmit 2024-2030 dhe Planin e Veprimit 2024-2026, me synim për zhvillimin e turizmit kulturor dhe natyror në baza konkurruese dhe me ndikim në zhvillimin socio ekonomik dhe rritjen e punësimit, shtoi z. Arifaj.
Panairi Ndërkombëtar i Turizmit u mbështet nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) dhe u organizua nga Unioni i Turizmit në Kosovë.