Lajme

Ministrja Hajdari priti në takim kryetarin e Komunës së Lezhës, Pjerin Ndreu

Prishtinë, 16/04/2024

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, dhe shefi i stafit z. Kushtrim Dakaj, pritën në takim Kryetarin e Komunës së Lezhës, z. Pjerin Ndreu me ekipin e tij nga komuna dhe të shoqëruar nga Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë z. Petrit Malaj.

Takimi u zhvillua me diskutim shumë pozitiv lidhur me bashkëpunimin në fushën e turizmit ku z. Ndreu erdhi me propozim për mbështetje nga ana e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë me organizimin e pjesëmarrjes së bizneseve në një aktivitet për promovimin e turizmit i cili do të mbahet në Prishtinë.

Ministrja Hajdari vlerësoi lartë bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve tona, jo vetëm në fushën e turizmit, si dhe ofroi përkrahjen e plotë për organizimin e pjesëmarrjes së bizneseve nga vendi ynë në këtë aktivitet, i cili do të jetë një mundësi e mirë për forcim të bashkëpunimit në fushën e turizmit në mes Kosovës e Shqipërisë.

Aktiviteti në fjalë do të mbahet në fund të muajit maj, në Prishtinë, ku do të marrin pjesë Ministrja Hajdari dhe Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë znj. Mirela Kumbaro.