Lajme

Afër katër milionë euro për ndërtimin e Parkut të Përgjithshëm në Podujevë

Prishtinë, 07/05/2024

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari dhe Kryetari i komunës së Podujevës, z. Shpejtim Bulliqi, nënshkruan marrëveshjen për realizimin e projektit të Parkut të Përgjithshëm në Livadicë – Podujevë.

Me një investim kapital prej afër katër milionë euro, kjo nismë shënon fillimin e një hapësire të re për bizneset vendore dhe ndërkombëtare.

Qëllimi është i qartë dhe i përbashkët për krijimin e një ambienti të favorshëm për të bërit biznes dhe mundësisë së bashkëpunimit në mes bizneseve si një ekosistem, për shpalosjen e potencialit prodhues për zhvillim të mëtejmë të industrisë, me synim nxitjen e investimeve, rritjen e eksportit dhe rritjen e punësimit të denjë. 📈

Vlera e projektit kryesor për ndërtimin e Parkut të Përgjithshëm në Livadicë të Podujevës është 3,882,152.00 euro, ku Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë do të financojë projektin me shumën 3,500,000.00 euro, ndërsa komuna e Podujevës do të kontriubojë me shumën prej 382,152.00 euro.

Parku në Livadicë të Podujevës, ndodhet në një pozicion strategjik dhe do të ofrojë 52 parcela për biznese vendore dhe të huaja.