Lajme

Ministrja znj. Rozeta Hajdari së bashku me Zëvëndesministrin z. Mentor Arifaj, morën pjesë në punëtorinë e organizuar nga Zyra e Planifikimit Strategjik

Prishtinë, 08/05/2024

Ministrja znj. Rozeta Hajdari së bashku me Zëvëndesministrin z. Mentor Arifaj, morën pjesë në punëtorinë e organizuar nga Zyra e Planifikimit Strategjik në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, ku u prezantua dhe shqyrtua drafti i Strategjisë për Specializimin e Mençur-S3.

Ministrja Hajdari, falënderoi anëtarët e Ekipit Nacional të emëruar me vendim të Kryeministrit, Përfaqësuesit e Komisionit Evropian, si dhe ekspertët e angazhuar nga Qeveria e Kosovës për hartimin e Strategjisë për Specializimin e Mençur-S3.

Ajo theksoi se Strategjia e Mençur është dokument me rëndësi të lartë për shtetin tonë dhe tregues se Kosova po përvetëson një model bashkëkohor për zhvillim ekonomik në përputhje me iniciativën e Bashkimit Evropian.

“Kjo strategji e orientuar kah inovacioni është mjet thelbësor për të përmirësuar ekosistemin e inovacionit dhe kërkimit dhe për të udhëzuar investimet e ardhshme në sektorët që janë njohur si fusha me prioritet në këtë proces”, shtoi Ministrja Hajdari.

Fushat me prioritet pas një analize të thellë për gjetjen e fushave dhe sektorëve me potencial për zhvillim në vendin tonë kanë rezultuar:

Teknologjia Informative dhe Komunikimit (sektor horizontal) ; Industria Kreative (sektor horizontal);

Energjia e Gjelbër; Përpunimi i Drurit dhe Përpunimi i Ushqimit.

“Ne synojmë që Kosova në një të ardhme të afërt të ketë një ekonomi të zgjuar, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, të bazuar në objektivat strategjike si: rritjen e punësimit, zhvillimin e inovacionit, ndërlidhjen e arsimit me nevojat e tregut, përfshirjen sociale dhe ndikimin në ekonominë e gjelbër /klimën dhe energjinë”, theksoi Ministrja Hajdari.

Procesi i hartimit të Strategjisë për Specializimin e Mençur, është kryesuar nga Zyra e Kryeministrit, me mbështetje nga të gjithë akterët përkatës të sektorit publik dhe sektorit privat dhe me asistencë teknike të ofruar nga DG JRC të Komisionit Evropian, me analiza të thella për gjetjen e fushave dhe sektorëve me potencial për zhvillim në vendin tonë.

Së fundi, me kërkesë nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, asistencë teknike është ofruar edhe nga Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) në konsolidimin e draftit, hartimin dhe zhvillimin e kornizës së monitorimit të zbatimit të kësaj Strategjie për Specializim të Mençur- S3.