Ministrja e MINT znj. Rozeta Hajdari mori pjesë në takimin e radhës të Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime
Prishtinë,
08/05/2024
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari mori pjesë në takimin e radhës të Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime, nën kryesimin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës z. Albin Kurti.
Në fjalën e tij, Kryeministri Kurti u bëri thirrje bizneseve tona më konkurruese, shoqatave të biznesit dhe projekteve të financuara nga donatorët që të vazhdojnë e forcojnë edhe më tej bashkëpunimin me Qeverinë e Republikës së Kosovës, për të zhvilluar plane strategjike dhe operacionale që rrisin investimet e huaja direkte, eksportet dhe nxisin zhvillimin efektiv të biznesit.
Kurse Ministrja Rozeta Hajdari njoftoi për progresin në themelimin e parqeve industriale dhe teknologjike te reja, si dhe ndërtimin dhe funksionalizimin e zonave ekonomike të çertifikuara shumë vite më parë, për shfrytëzim nga bizneset vendore dhe të huaja. Ajo theksoi se,
mbështetja e krijimit të parqeve moderne industriale dhe teknologjike me karakteristika miqësore me mjedisin, është një nga masat prioritare të Politikës së parë Industriale 2030.
Në Kosovë janë të krijuara dhe certifikuara 11 zona ekonomike, përkatësisht parqe industriale dhe teknologjike, si dhe një inkubator biznesi:
Parku i Biznesit në Drenas; Parku Teknologjik në Shtime; Parku Industrial në Frashër, Mitrovicë ; Agro Zona Industriale në Samadraxhë, Suharekë; Parku Industrial në Qylagë, Lipjan; Parku Industrial në Budrikë, Viti; Parku Industrial në Shirokë, Suharekë; Parku Industrial në Lumadh, Vushtrri; Parku Industrial në Opterushë, Rahovec; Inkubatori i biznesit në Malishevë; Parku i Përgjithshëm në Livadicë, Podujevë i sapo themeluar në muajin Prill të këtij viti dhe Parku i Industrial 2, në Drenas në ditët e fundit për t'u themeluar.
Përveç ndërtimit dhe funksionalizimit të parqeve industriale dhe teknologjike ekzistuese dhe të reja, Ministrja Hajdari shtoi se, janë në proces të themelimit edhe inkubatorë tjerë të biznesit dhe qendra të inovacionit, në kuadër të parqeve industriale dhe teknologjike dhe universiteteve publike, me qëllim zhvillimin e ekosistemit për inovacion dhe krijimin e bashkëpunimeve të strukturuara në mes sektorit privat, publik dhe akademisë, në interes të zhvillimit industrial dhe tranformimit socio ekonomik.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndarë 33 milion euro shtese investime për vitet 2024 - 2026, për ndërtimin e parqeve tjera të reja industriale dhe teknologjike, përfshirë inkubatorët e biznesit.