Lajme

Ministrja Hajdari priti në takim përfaqësuesit e Shoqatës së Verëtarëve të Kosovës

Prishtinë, 13/05/2024

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, priti në takim përfaqësuesit e Shoqatës së Verëtarëve të Kosovës " Enologjia" z. Ruzhdi Haxhijaha, kryesues i kësaj shoqate dhe pronar i verarisë "Bodrumi i Vjetër", i shoqëruar nga z. Aziz Tafa pronar i verarisë "AgroKosova Holding" dhe z. Ismet Haxhimurati pronar i verarisë " Biopak sh.p.k".

Gjatë takimit u diskutuan shumë çështje që kishin për qëllim mbështetjen në promovimin e prodhimeve të verës në panairet ndërkombëtare dhe mbrojtjen e produkteve vendore të verës, ndër të tjera edhe regjistrimin e treguesit gjeografik apo vendit të origjinës.

Përfaqësuesit e Shoqatës së Verëtarëve të Kosovës "Enologjia" vlerësuan lartë angazhimin dhe mbështetjen nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në veçanti mbështetjen direkte financiare përmes granteve për NVM-të, dhe për sigurimin e pjesëmarrjes së deritanishme të verëtarëve në panairet ndërkombëtare, nga të cilat siç u shprehën ata, kanë arritur suksese të mëdha në rritjen e eksporteve dhe gjetjen e tregjeve të reja edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përveç tregjeve evropiane.

Në anën tjetër Ministrja Hajdari ofroi mbështetjen e plotë për promovimin dhe mbrojtjen e produkteve të verës, duke i cilësuar si një vlerë, traditë e kulturë vendore të shtetit të Kosovës.

Palët poashtu u pajtuan për mbështetjen në vazhdim të produkteve të verëtarve vendor dhe për organizimin e ngjarjes së përurimit të treguesit gjeografik "Verërat e Rahovecit" të regjistruar së fundi nga Agjencia e Pronësisë Industriale ( API) në kuadër të MINT, e cila ngjarje do të realizohet në bashkëorganizim me Shoqatën " Enologjia" në muajin qershor të këtij viti.