Lajme

Dita Botërore e Akreditimit 2024

Prishtinë, 09/06/2024

Moto: FUQIZIMI I SË NESËRMES DHE FORMËSIMI I TË ARDHMES

Dita Botërore e Akreditimit shënohet më 9 Qershor të çdo viti. Këtë vit, kjo ditë rithekson rolin dhe rëndësinë e akreditimit si një mjet kyç për fuqizimin e së nesërmes dhe formimin e të ardhmes. Akreditimi kontribuon në përmirësimin e standardeve dhe rritjen e besueshmërisë në shumë fusha, duke krijuar një mjedis të sigurt dhe cilësor për të gjithë. Ky proces ndihmon në rritjen e performancës së bizneseve dhe organizatave dhe në garantimin e cilësisë së produkteve dhe shërbimeve për konsumatorët.

Rëndësia e Akreditimit

Akreditimi përcakton kompetencën teknike, integritetin dhe paanshmërinë e organizatave që ofrojnë shërbime të vlerësimit të konformitetit si testimi, kalibrimi, certifikimi dhe inspektimi, bazuar në standardet ndërkombëtare. Ky proces është në interes dhe përfitim të publikut. Me kalimin e viteve, roli i akreditimit është rritur dhe është bërë një instrument tepër i rëndësishëm në legjislacionin ndërkombëtar për krijimin e një tregu me produkte dhe shërbime të sigurta. Akreditimi gjithashtu lehtëson eksportin e produkteve dhe shërbimeve, duke pasur një ndikim vital në ekonomi.

Skemat e Akreditimit në Kosovë

Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit e Kosovës (DAK) aktualisht ka ngritur tre skema akreditimi:

  1. Akreditimi i laboratorëve testues sipas kërkesave të standardit ISO/IEC 17025:2017.
  2. Akreditimi i trupave inspektues sipas kërkesave të standardit ISO/IEC 17020:2012.
  3. Akreditimi i laboratorëve mjekësorë sipas kërkesave të standardit ISO 15189:2012.

Këtë vit, DAK ka filluar procesin për ngritjen e skemës për akreditimin e trupave certifikues për materiale ndërtimi, sipas kërkesave të standardit ISO/IEC 17065:2012.

Progresi në Akreditim në Kosovë

Numri i Trupave për Vlerësim të Konformitetit (TVK) të akredituara në Kosovë është rritur. Aktualisht janë të akredituara 62 trupa, përfshirë 45 laboratorë testues dhe 17 trupa inspektues, ndërsa 14 TVK janë në proces të akreditimit.

Thirrje për Akreditim

Edhe pse akreditimi është vullnetar, DAK fton të gjithë laboratorët testues, trupat inspektues dhe së shpejti trupat certifikues të bëhen pjesë e procesit të akreditimit për të rritur vlerën, besueshmërinë dhe cilësinë e shërbimeve të tyre. 

Ftesë për Ekspertë Teknikë

DAK gjithashtu fton të gjithë të interesuarit për të qenë pjesë e ekipit vlerësues (Ekspertëve Teknikë) të DAK-së. Të interesuarit mund të plotësojnë dhe dorëzojnë dokumentet në emailin zyrtar: info.dak@rks-gov.net

Më shumë informata

Për më shumë informata, vizitoni faqen e DAK-së duke klikuar në linkun në vijim: Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit.  

Shikoni videon promovuese të këtij viti: https://youtu.be/eSg78XxcyM8?si=YbHaxdoLIJn01Jok