Lajme

Demantim i lajmit mbi anulimin e konkursit për pozitën e drejtorit ekzekutiv, në Agjencinë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë

Prishtinë, 28/08/2024

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), me qëllim informimin e drejtë të opinionit publik, dhe vendimmarrjen transparente, përmes këtij njoftimi zyrtar demanton shkrimin tendencioz dhe të pavërtetë të publikuar në mediumin AlbanianPost, të datës 15 gusht, respektivisht të datës 28 gusht 2024/12:11, se kinse MINT pas raportimit të AlbanianPost, anulon konkursin për pozitën e lartë drejtuese “Drejtor Ekzekutiv” në Agjencinë për Investime dhe për Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë.

Pas hyrjes në fuqi të LIGJIT PËR INVESTIME TË QËNDRUESHME NR.08/L-209, me datë 22 gusht 2024, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), ka anuluar konkursin e shpallur për të mos krijuar mbivendosje të kompetencave ekzekutive ekzistuese në pajtueshmëri me ligjin përkatës.

Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Republikën e Kosovës -KIESA e themeluar me Ligjin për Investime të Huaja shuhet dhe në vend të saj themelohen këto Agjenci:

1. Agjencia e Investimeve dhe Eksporteve (AIE); si dhe

2. Agjencia për Inovacion dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Republikën e Kosovës (AIPNK).

Bazuar në dispozitat ligjore siç përcaktohen në këtë ligj, Agjencia për Investime dhe për Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Republikën e Kosovës-KIESA, do të rikonstruktohet me përgjegjësi dhe ndarje të caktuara ekzekutive. Organizimi i brendshëm dhe sistematizimi i vendeve të punës në Agjencinë për Inovacion dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Republikën e Kosovës (AIPNK), në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, bëhet me akt nënligjor, në pajtim me Ligjin përkatës për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe të Agjencive të Pavarura.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), garanton qytetarët e Republikës së Kosovës, se të gjitha konkurset dhe proceset e rekrutimit do të zhvillohen në përputhje të plotë me legjislacionin për Funksionimin e Administratës Shtetërore. Për më tepër, këto procese do të jenë të hapura dhe do të respektojnë parimet e transparencës e meritokracisë.