Ministrja Hajdari mori pjesë në ceremoninë e Certifikimit të Udhëheqësve Malor të Kosovës, Shqipërisë dhe Malit të Zi sipas standardeve të UIMLA
Prishtinë,
04/09/2024
Ky certifikim përfaqëson një hap të rëndësishëm për zhvillimin e turizmit malor në rajon dhe për Kosovën në veçanti. Ministrja Hajdari përgëzoi të gjithë udhëheqësit malor për përkushtimin dhe sukseset e tyre, duke theksuar mbështetjen e saj dhe rëndësinë e bashkëpunimit për të shndërruar Kosovën në një destinacion tërheqës dhe konkurrues në rajon.
"Vetëm me bashkëpunim mund të arrijmë që Kosovën ta shndërrojmë në një nga destinacionet më atraktive dhe konkurruese në rajon," theksoi ajo, duke shtuar se zhvillimi i turizmit malor sjell jo vetëm përfitime ekonomike, por edhe promovon vlerat kulturore dhe natyrore të vendit tonë.
Në këtë ngjarje të rëndësishme ishin të pranishëm edhe përfaqësues të UIMLA Maqedonia, donatorët kryesorë GIZ dhe Swisscontact/ PPSE, dhe Kryetari i Federatës së Bjeshkatarëve të Kosovës.
Kosova ka tani grupin e parë të certifikuar të udhëheqësve malor sipas standardeve më të larta ndërkombëtare, duke hapur rrugën për antarësimin e Shoqatës së Udhëheqësve Malor të Kosovës në UIMLA si anëtare e plotë.