Forumi Ekonomik Kosovë-Greqi sjell bashkëpunim të ri ekonomik
Prishtinë,
05/09/2024
Sot, në Prishtinë, u zhvillua Forumi Ekonomik Kosovë-Greqi 2024, organizuar nga Agjencia Kosovare për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve (KIESA), në bashkëpunim me agjencinë homologe greke, Enterprise Greece. Pjesëmarrës në këtë forum ishin përfaqësues të lartë institucional dhe nga komuniteti i biznesit të të dyja vendeve, duke dëshmuar një perspektivë premtuese për bashkëpunim ekonomik mes Kosovës dhe Greqisë.
Në fjalën hyrëse, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, i uroi mirëseardhje Zëvendësministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë, z. Kostas Fragogiannis, i cili ishte i shoqëruar nga një delegacion i përbërë nga 15 biznese greke dhe drejtorët e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Athinës (ACCI), Dhomës së Përgjithshme të Tregtisë dhe Industrisë së Selanikut (TCCI) dhe Shoqatës së Eksportuesve Grekë (SEVE).
Ministrja Hajdari theksoi se Kosova ka bërë përparime të mëdha në zhvillimin demokratik dhe ndërtimin e një ekonomie të qëndrueshme, të nxitur nga inovacioni, ndërmarrësia dhe përkushtimi i fortë për integrimin e produkteve në tregun global.
Ky forum përfaqëson një angazhim të përbashkët për progres, stabilitet dhe prosperitet ekonomik ndërmjet dy vendeve, ku morën pjesë 50 biznese kosovare të përzgjedhura përmes thirrjes publike nga KIESA.
Gjatë forumit, u nënshkruan memorandume bashkëpunimi mes odave ekonomike të Kosovës dhe Greqisë, dhe u mbajtën takime të frytshme B2B ndërmjet bizneseve të të dy vendeve në sektorë si: përpunimi i drurit, metaleve, ushqimit, energjia e ripërtëritshme, teknologjia e informacionit dhe komunikimit, turizmi dhe farmacia.
Delegacioni grek, i udhëhequr nga KIESA, vizitoi Parkun Industrial në Drenas dhe Lipjan, duke parë nga afër potencialin e zonave industriale të Kosovës.
Ky forum dëshmon përkushtimin tonë të përbashkët për të forcuar bashkëpunimin ekonomik dhe për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur për brezat e ardhshëm.