Lajme

Ministrja Hajdari zhvilloi takim bilateral me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Kostas Fragogiannis

Prishtinë, 05/09/2024

Në kuadër të Forumit Ekonomik Kosovë-Greqi 2024, që u mbajt sot në Prishtinë, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, zhvilloi një takim bilateral me Zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, z. Kostas Fragogiannis.

Gjatë këtij takimi të ngrohtë dhe produktiv, Ministrja Hajdari e njoftoi z. Fragogiannis për progresin demokratik, ekonomik dhe reformat strukturore të Kosovës, në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Në takim u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit në sektorët strategjikë, përfshirë industrinë përpunuese, energjinë e ripërtëritshme, teknologjinë e informacionit dhe komunikimit, si dhe turizmin. U theksua përvoja dhe përfitimet e ndërsjella që bashkëpunimi ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Greqisë mund të sjellë për të dy vendet.

Zëvendësministri Fragogiannis vlerësoi përkushtimin e Kosovës në qeverisje dhe progresin e arritur në zhvillimin ekonomik dhe demokratik, duke u përgjigjur me gatishmëri për të inicuar krijimin e një "Task Force" për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik në fusha strategjike ndërmjet Kosovës dhe Greqisë.