Lajme

MINT / KIESA mban takim parapërgatitor me bizneset që do të marrin pjesë në panairin e gastronomisë shqiptare që do të mbahet në Berlin

Prishtinë, 10/09/2024

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), mbajti sot takim parapërgatitor me bizneset që do të marrin pjesë në panairin e gastronomisë shqiptare “Global Albanian Gastronomy Festival”, i cili do të mbahet në Berlin të Gjermanisë nga data 02 deri më 03 tetor 2024.

Gjatë takimit u diskutua lidhur hapësirën ekspozuese që ka Kosova në këtë panair në të cilin do të prezantojnë 51 biznese kosovare. Ndër tjera u fol rreth procedurave përgatitore të bizneseve, për produktet që do të ekspozohen si dhe për procedurat e tjera për paraqitje sa më të mirë të bizneseve në këtë panair.

MINT/KIESA mbulon shpenzimet e hapësirës ekspozuese në një sipërfaqe prej 500m2 për pjesëmarrjen e 51 bizneseve vendore, ndërsa ndërtimi i shtandit standard për këto biznese do të mbulohet nga projekti i USAID-it “Compete Activity”.

Ky aktivitet organizohet nga KIESA dhe projekti i USAID-it “Compete Activity”, në koordinim dhe bashkëpunim me shoqatat prodhuese të sektorëve specifik, me qëllim të promovimit të kompanive kosovare të sektorit të ushqimit, pijeve, produkteve jo ushqimore, drurit dhe TIK-ut, si dhe të përkrahjes së tyre për gjetjen e tregjeve të huaja për eksport të produkteve dhe shërbimeve.