Lajme

Ministrja Hajdari mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Qëndrueshmërinë Mjedisore dhe Ndryshimet Klimatike, me temën "Inovacioni për një të Ardhme të Qëndrueshme: Akademia, Industria dhe Qeveria në Dialog"

Prishtinë, 14/09/2024

Gjatë fjalës së saj hyrëse, Ministrja Hajdari vuri në theks rëndësinë e dialogut të hapur midis akademisë, industrisë dhe qeverisë, si një bashkëpunim i strukturuar trekëndësh, me rezultat në zgjidhje inovative që nxisin zhvillimin e qëndrueshëm dhe kalimin drejt një ekonomie të gjelbër. Ajo shprehi përkushtimin qeveritar në zbatimin e politikave që mbështesin qëndrueshmërinë mjedisore dhe përmirësojnë jetën e qytetarëve. "Një nga këto politika është pikërisht Politika Industriale 2030, e miratuar në qershor të vitit 2023 dhe tashmë në zbatim, që luan një rol të madh në nxitjen e inovacionit dhe zhvillimin e industrisë prodhuese dhe përpunuese.

Përmes politikës industriale, synohet që Kosova të arrijë objektivin e lehtësimit të industrisë qarkore dhe të gjelbër, përmes ndryshimeve si: rritjes së cirkularitetit dhe riciklimit të materialeve në sektorin e prodhimit, prodhimin dhe konsumin e produkteve të gjelbra me karbon të ulët, dhe përmirësimin teknologjik të orientuar drejt efiçencës së energjisë’’, theksoi Ministrja Hajdari.

Ministrja Hajdari, theksoi rëndësinë e inovacionit që pritet të luajë një rol të madh në dekarbonizimin e industrisë, me rolin kyç të sektorit privat në transformim socio-ekonomik dhe mjedisor.

Ajo tha se, me përfshirjen aktive të sektorit privat, jo vetëm që mund të arrijmë objektivat tona për zhvillim të qëndrueshëm, por gjithashtu mund të inkurajojmë inovacionin dhe të fuqizojmë brezin e ardhshëm të liderëve dhe ndryshuesve.

‘’Në këtë drejtim, përkushtimi i sektorit privat për të përmbushur detyrimet e Deklaratës së Sofjes mbi Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor është një hap thelbësor drejt arritjes së qëllimeve të përbashkëta.

Duke punuar së bashku me partnerët në zhvillimin e teknologjive NetZero, diversifikimin dhe forcimin e zinxhirëve të furnizimit dhe duke mbështetur sektorin privat në tranzicionin e tyre të gjelbër, angazhimet drejt NetZero-s mund të jenë të mira për planetin dhe biznesin’’, shtoi Ministrja Hajdari.

Ajo njoftoi për reformën dhe investimet e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në rritjen e hapësirave për të bërit biznes dhe rritjen e bashkëpunimit ne mes sektorit privat dhe akademisë, përmes ndërtimit dhe funksionalizimit të parqeve industriale dhe teknologjike në shumë komuna, si dhe krijimin e parqeve te reja, inkubatorëve të biznesit dhe qendrave të inovacionit në kuadër të akademisë.

Këto investime kapitale të gjertanishme dhe në vijim me buxhetin prej 33 milion euro për vitet 2024- 2026, do të kontribuojnë edhe në rritjen e bashkëpunimit ndërmjet industrisë dhe akademisë, i nevojshëm për të aftësuar të rinjtë për industrinë tonë dhe për të përshpejtuar zhvillimin e ekosistemit me rritjen e inovacionit.

Në përfundim Ministrja Hajdari, falënderoi të gjithë ata që po punojnë pa u lodhur në projekte dhe iniciativa që promovojnë qëndrueshmërinë, me kontribut në një të ardhme të ndritur për të gjithë.