Në sheshin Zahir Pajaziti, në Prishtinë, u shënua 25 vjetori i bashkëpunimit zhvillimor Kosovë-Gjerman
Prishtinë,
21/09/2024
Me ftesë nga Shefi i Bashkëpunimit Gjerman në Kosovë z. Daniel Alker, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, mbajti fjalim hyrës në hapjen e 'Streetfest' , për të shënuar bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe miqësinë e vërtetë në mes Kosovës dhe Gjermanisë.
Me këtë rast Ministrja Hajdari, theksoi se bashkëpunimi zhvillimor gjerman me Kosovën, filloi menjëherë pas përfundimit të ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në vitin 1999, në ndihmën emergjente, veçanërisht në furnizimin me ujë dhe energji elektrike për popullatën tonë.
Poashtu ajo tha se Gjermania është një nga donatorët më të mëdhenj dypalësh në fushën e bashkëpunimit zhvillimor dhe vazhdon me programe dhe projekte me ndikim për zhvillim të qëndrueshëm dhe integrim Euro- Atlantik dhe mbetet një partner i fuqishëm i Kosovës, në fushën e tregtisë dhe rritjes së investimeve nga bizneset gjermane dhe diaspora jonë.
Në vazhdim Ministrja Hajdari së bashku me Zëvendës Ambasadorin e Gjermanisë, z. Matthias Conrad dhe përfaqësues të institucioneve dhe organizatave gjermane e kosovare, vizituan ekipet e shumë projekteve gjermane në zhvillim të arsimit e trajnimit teknik dhe profesional, zhvillim të sektorit privat, energji të rinovueshme dhe efikasitet të energjisë, zhvillim të qëndrueshëm urban dhe për shoqëri paqësore dhe gjithëpërfshirëse.