Konferenca e Ministerialit Ekonomik e Ballkanit Perëndimor, e mbajtur më 24 shtator 2024, shënoi një dekadë të Procesit të Berlinit
Prishtinë,
25/09/2024
Që nga viti 2014, Procesi i Berlinit ka shërbyer si një platformë unike dhe gjithëpërfshirëse, duke forcuar bashkëpunimin mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve pritëse të Procesit të Berlinit, të angazhuara në zgjerimin e ardhshëm të Bashkimit Evropian.
Seanca Plenare e Ministrave të Çështjeve Ekonomike, e udhëhequr nga Zëvendës Kancelari gjerman, Ministri Robert Habeck, këtë vit u përqendrua në temat: Tregu i Përbashkët Rajonal dhe kushtet për investime private, si dhe sfidat e tranzicionit përmes Mekanizmit të Rregullimit të Kufirit të Karbonit (CBAM).
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, në fjalimin e saj, kujtoi përvjetorin e parë të vrasjes së rreshterit të Kosovës në detyrë, z. Afrim Bunjaku, gjatë sulmit të planifikuar terrorist serb në Banjskë, në veri të Kosovës, më 24 shtator 2023. Ajo theksoi rëndësinë e sigurisë ekonomike dhe përgjegjësinë për të ndërtuar një të ardhme paqësore në rajon.
Udhëheqja dhe angazhimi i Gjermanisë janë vendimtare në fuqizimin e Kosovës për të forcuar lidhjet ekonomike dhe për të promovuar e përmirësuar bashkëpunimin rajonal, ndërsa vendi synon të përmbushë kërkesat për integrimin në Bashkimin Evropian.
Ministrja Hajdari njoftoi për përparimin pozitiv të Kosovës në rritjen ekonomike dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare me vendet e rajonit dhe Evropën, si dhe për përafrimin e politikave dhe reformave legjislative për lehtësimin e tregtisë dhe mbrojtjen e sigurisë së investimeve, sipas legjislacionit dhe standardeve të BE-së dhe praktikave më të mira ndërkombëtare.
Ajo gjithashtu njoftoi për kontributin e Kosovës me propozimin e masave dhe aktiviteteve për Planin e ri të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal 2025-2028 (CRM), duke synuar që zbatimi i këtij plani të sigurojë qasje të barabartë në mundësitë ekonomike. Kjo fazë e re e CRM-së për Kosovën konsiderohet një hap drejt integrimit në Tregun e Vetëm të BE-së.
Ministrja theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për adresimin e sfidave të lidhura me CBAM, përmes iniciativave të përbashkëta në tranzicionin energjetik dhe politikën industriale, të cilat mund të rrisin qëndrueshmërinë ndaj goditjeve ekonomike.
Ajo përsëriti përkushtimin e Qeverisë së Kosovës ndaj Axhendës së Gjelbër, përmes masave të përcaktuara në strategjitë kombëtare, me objektiva për lehtësimin e industrisë qarkore dhe të gjelbër, dhe për avancimin e tranzicionit energjetik, për një të ardhme të qëndrueshme dhe më të mirë për qytetarët, industritë dhe mjedisin.
Gjatë Konferencës, u mbajt një Panel i Ministrave të Çështjeve Ekonomike të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, me pjesëmarrje të bizneseve gjermane dhe nga rajoni. Në këtë panel u reflektua mbi 10 vitet e Procesit të Berlinit dhe progresin e arritur në nivel vendi dhe rajoni drejt Tregut të Përbashkët Rajonal.