Lajme

Në kuadër të Ministerialit Ekonomik të Ballkanit Perëndimor, ministrja Hajdari u prit në takim bilateral nga Zëvendës Kancelari dhe Ministri Federal për Çështjet Ekonomike dhe Veprimin Klimatik të Gjermanisë, Robert Habeck

Prishtinë, 26/09/2024

Gjatë këtij takimi, Ministrja Hajdari falënderoi Ministrin Habeck për mbështetjen e vazhdueshme gjermane në zhvillimin dhe integrimin euro-atlantik të Kosovës, si dhe për miqësinë e sinqertë ndaj popullit tonë.

Ajo vuri në dukje se Gjermania mbetet një ndër partnerët kryesorë tregtar dhe investues në Kosovë, duke theksuar rritjen rekord të numrit të bizneseve gjermane të regjistruara në vend gjatë tre viteve të fundit, ku 454 biznese janë regjistruar vetëm në këtë periudhë nga gjithsejtë 880 biznese të regjistruara gjatë 10 viteve të fundit.

Ministrja informoi Ministrin Habeck për progresin ekonomik të Kosovës dhe reformat legjislative që synojnë mbrojtjen e investimeve dhe lehtësimin e tregtisë, në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare dhe direktivat e BE-së.

Në këtë takim, ajo propozoi krijimin e një Komisioni të Përbashkët Ekonomik Kosovë-Gjermani, për të forcuar bashkëpunimin ekonomik dypalësh. Gjatë diskutimit, Ministrja theksoi rëndësinë e qasjes së barabartë në mundësitë ekonomike dhe përkushtimin për rritjen e sigurisë ekonomike në Kosovë dhe në rajon.

Ministri Habeck, nga ana e tij, shprehu mbështetjen për një rajon të integruar, duke theksuar rolin qendror të Kosovës në zhvillimin e qëndrueshëm të Ballkanit Perëndimor.