Lajme

Në peizazhet mahnitëse të Maleve të Sharrit, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, nën patronatin e Ministres Rozeta Hajdari, shënoi sot Ditën Botërore të Turizmit

Prishtinë, 27/09/2024

Tema e këtij viti e përcaktuar nga Organizata Botërore e Turizmit(UNWTO) është "Turizmi dhe Paqja", duke na ftuar për reflektim mbi rolin e turizmit në promovimin e paqes dhe mirëkuptimit mes popujve.

Aktivitetit iu bashkuan zyrtarë të MINT, kryetari i komunës së Dragashit, z. Bexhet Xheladini, zëvendësministri z. Ali Tafarshiku, ambasadorët z. Antonello De Riu, z. Olivier Guerot, znj. Daniela Barišič, znj. Minca Benedejčič, znj. Heleni Vakali, si dhe përfaqësues të tjerë diplomatik të shteteve mike, përfaqësues nga bashkëpunimi ndërkombëtar vendor për zhvillim të turizmit dhe përfaqësues nga guidat malore të certifikuara, të cilët së bashku realizuan ecje në shtegun e " Gurit të Zi " në Zaplluxhë të Dragashit, aty ku natyra ofron një përvojë të veçantë për turistët.

Kosova po bëhet një destinacion gjithnjë e më i njohur turistik!

Turizmi në Kosovë ka shënuar një rritje të vazhdueshme gjatë tri viteve të fundit. Vetëm deri në fund të qershorit të këtij viti, rreth 320 mijë vizitorë janë regjistruar nga strukturat tona akomoduese, një rritje prej 21% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Si një sektor kyç për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe punësim, përtej numrit të shtuar të vizitorëve, turizmi ka sjellë vende të reja pune, me një rritje prej 27% në numrin e të punësuarve në sektorin e akomodimit dhe ushqimit ne vitin 2023, në krahasim me vitin paraprak.

Gjatë fjalës së saj, Ministrja Hajdari theksoi punën dhe përkushtimin për zhvillimin dhe mbështetjen e turizmit, duke përmendur ndër të tjera Strategjinë e Turizmit 2030 dhe Planin e Veprimit 2024-2026, të miratura këtë vit si dhe legjislacionin sekondar për nënsektorët e turizmit.

Me programet horizontale dhe skemat mbështetëse në kuadër të strategjisë, synojmë zhvillimin e turizmit kulturor dhe natyror në mënyrë konkurruese dhe të qëndrueshme, që deri në vitin 2030, Kosova të jetë një destinacion konkurrent i turizmit të qëndrueshëm në rajon, deklaroi Ministrja Hajdari.

Ajo falënderoi të gjithë pjesëmarrësit dhe partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen në fuqizimin e turizmit të qëndrueshëm në Kosovë!