Lajme

Ministrja Hajdari me zyrtarët institucional dhe ekspertë të Organizatës Ndërkombëtare për Bashkëpunim Ekonomik (OECD), shpalosën të gjeturat nga Raporti i Perspektivës së Konkurrueshmërisë të Ballkanit Perëndimor 2024

Prishtinë, 01/10/2024

Ky raport është një pasqyrim i performancës në progresin drejt synimit tonë për një ekonomi më konkurruese dhe më të qëndrueshme.

Në vitet e fundit, Republika e Kosovës ka bërë përparim të dukshëm në shumë dimensione, të gjitha të nevojshme për ruajtjen e konkurrencës ekonomike dhe për rritjen afatgjatë.

Përparim i dukshëm është bërë që nga publikimi i OECD Raportit: Konkurrueshmëria në Evropën Juglindore 2021.

OECD Raporti: Perspektiva e Konkurrencës 2024, konfirmon se Republika e Kosovës ka përparuar pozitivisht në 12 nga 15 dimensionet e politikave që ky raport i mbikëqyr. Rritjet më të forta të rezultateve janë në fushat e politikës së investimeve dhe promovimit, dhe në politikat e turizmit dhe bujqësisë. Sipas këtij raporti, Kosova po e kalon mesataren e gjashtë ekonomive të Ballkanit Perëndimor (WB6) në pesë dimensione të politikave, dhe është e pozicionuar si një lider rajonal për ndërmarrjet shtetërore, dhe për politikën tregtare dhe lehtësimin, e cila është më së miri në përputhje me standardet e BE-së dhe marrëveshjet e OBT-së.

Kosova ka bërë progres të dukshëm në përafrimin e politikave me standardet e BE-së, përmes avancimit të politikave dhe reformave ligjore në linjë me legjislacionin e BE-së dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, si dhe procedurat e thjeshtuara për të bërit biznes të drejtë, adaptiv dhe konkurrues, të nxitur nga inovacioni dhe prodhimi.

Kosova ka shënuar zhvillim dhe rritje të shpejtë, duke shënuar një normë mesatare vjetore të rritjes së PBB-së prej 6.2% gjatë tre viteve të fundit.

OECD Raporti i Perspektivës së Konkurrueshmërisë së Ballkanit Perëndimor 2024, konfirmon se Kosova ka shënuar mesataren më të lartë të rritjes ekonomike, në krahasim me vendet e Ballkanit Përendimor.

Kosovo Investment and Enterprise Support Agency - KIESA në rolin e koordinatorit kombëtar për Kosovën për këtë raport të OECD-së: Perspektiva e Konkurrueshmërisë, ka koordinuar dhe mbledhur me sukses të dhënat cilësore dhe sasiore për vlerësime e 15 dimensioneve të matjes së konkurrueshmërisë, në koordinim me nënkoordinatorët nga ministritë dhe institucionet tona përkatëse.