Lajme

Ministrja Hajdari mori pjesë në hapjen e Festivalit Global të Gastronomisë Shqiptare (GAGF 2024)

Prishtinë, 02/10/2024

Në fjalën e saj hyrëse Ministrja Hajdari theksoi se gastronomia shqiptare është shumë më tepër sesa ushqim – ajo përfaqëson vlerat e mikpritjes bujare të kombit tonë shqiptar, të trashëguara ndër shekuj.

Në këtë festival, Republika e Kosovës u përfaqësua në mënyrë dinjitoze, përmes më shumë se 50 bizneseve, që prezantuan produktet e tyre autentike, duke treguar cilësinë dhe mjeshtërinë e prodhuesve tanë dhe kulturën e trashëgiminë e pasur të traditës sonë shqiptare në gastronomi.

E rëndësishme në ekspozitën e këtij festivali, është një lidhje në mes ofruesve të shërbimeve TIK, me industrinë prodhuese e përpunuese me shumë arte dhe dizajne në mbështetje të gastronomisë.

Kjo lidhje është premtuese në përmirësimin e inovacionit të produktit drejt prodhimit me vlerë më të lartë të shtuar, që është një nga objektivat tona specifike në kuadër të Politikës Industriale 2030.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), ofroi mbështetjen financiare në vlerë prej 108,000 euro për sigurimin e hapësirës, për pjesëmarrjen e 51 bizneseve vendore në Festivalin Global të Gastronomisë Shqiptare (GAGF 2024).

Angazhimi dhe përkushtimi i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, do të vazhdojë me mbështetje ndaj ndërmarrjeve tona në rritje, çdo ditë e më shumë, me një gamë të gjerë të produkteve dhe shërbimeve me vlerë, për tregun vendor e ndërkombëtarë.