Kosova përfaqësohet nga institucionet e saj në CEFTA
Prishtinë,
10/10/2024
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, bashkë me këshilltarin e Kryeministrit Kurti, Jeton Zulfaj, mbajtën konferencë për media pas mbledhjes së Komitetit të Përbashkët të CEFTA-s, ku u miratua vendimi për largimin e UNMIK-ut si përfaqësues i Kosovës.
Fjalimi i plotë i Ministres Rozeta Hajdari:
Të nderuar gazetarë,
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Ju njoftojmë se sot, para 2 orësh, kemi pasur takimin special të Komitetit të Përbashkët të CEFTA-s, i kryesuar nga Serbia, si udhëheqëse e CEFTA-s për këtë vit.
Në këtë takim, si pikë e rendit të parë, ka qenë miratimi i Vendimit Nr. 8/2007, mbi rregullat e procedurës së funksionimit të CEFTA-s. Përmes këtij vendimi të miratuar, ju njoftojmë se përfundimisht pjesëmarrja e UNMIK-ut është larguar nga CEFTA dhe kjo vjen si rezultat i përpjekjeve të shumta, konsistencës dhe përkushtimit të Kosovës, për të rregulluar pozicionin e saj në këtë mekanizëm CEFTA. Dhe nga sot, në takimet e Komiteteve të Përbashkëta të CEFTAs, Kosova do të përfaqësohet nga institucionet e saj, pa prezencën e UNMIK-ut.
Pas 13 vite zbatim të CEFTA-së, Kosova për herë të parë zyrtarisht ka marrë një iniciativë për të rregulluar përfaqësimin e Kosovës në këtë mekanizëm. Në këtë drejtim, nga Qeveria e Republikës, përmes Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, më 24 Shtator 2021, kemi adresuar letrën në sekretariatin e CEFTA-s në Bruksel, ku përmes kësaj letre kërkohej largimi i UNMIK-ut nga ky mekanizëm dhe që Kosova të përfaqësohet e barabartë si vendet e tjera.
Letra e parë e dërguar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, vjen si rezultat i mos-trajtimit të barabartë të Kosovës në CEFTA, ku si barrierë kryesore në këtë mekanizëm ka qenë përfaqësimi i Kosovës përmes UNMIK-ut. Kjo për faktin se deri më tani, pjesëmarrja e UNMIK-ut ka qenë e pranishme në çdo komunikim elektronik brenda CEFTA-s, madje edhe për çështjet më teknike të mundshme. E po ashtu, sfidë kryesore në këtë aspekt ka qenë pjesëmarrja e vazhdueshme e UNMIK-ut në takimet e Komiteteve të Përbashkëta vendimmarrëse në CEFTA, ku në këto takime, deri më tani, Kosova është përfaqësuar nga Pika Kontaktuese e Kosovës së bashku me UNMIK-un. E përveç barrierës së UNMIK-ut, kompanitë kosovare janë sfiduar edhe me barriera të paarsyeshme jotarifore brenda CEFTA-s.
Ndërsa pjesa tjetër e 13 vendimeve të miratuara sot, dhe jo më herët që nga dërgimi i letrës së Kosovës, vjen si rezultat i konsistencës dhe përkushtimit të Kosovës që të mos miratohen vendimet e tjera, pa u miratuar kërkesa e Kosovës për largimin e UNMIK-ut. Dhe këtë e kemi arritur sot.
Gjithsesi, përveç miratimit të kërkesës së Kosovës, 13 vendimet e tjera të miratuara sot nuk janë të parëndësishme, sepse përfshijnë qasje të barabartë ekonomike dhe tregtare në fushat si në vijim:
• Protokolli Shtesë 7 për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve në kuadër të CEFTA-s – një mekanizëm që ka për qëllim të përcaktojë procedurën për zgjidhjen e kontesteve dhe barrierave të pajustifikuara, apo shkeljen e marrëveshjes së CEFTA-s nga ndonjëra palë.
• Vendimi për Lehtësimin e Tregtisë Elektronike – që ka për qëllim të nxisë shkëmbimin e tregtisë në mënyrë elektronike, dhe në këtë fushë edhe Kosova ka aftësitë e saj konkurruese dhe përfituese. Kjo do të lidhet edhe me Ligjin për Shërbimet e Shoqërisë Informatike në Kosovë dhe direktivën 2000/31/EC (Komisioni Evropian).
• Vendimi për aspektet tregtare të të drejtave të pronësisë intelektuale – kjo do të rregullojë çështjet e të drejtave të pronësisë intelektuale, përfshirë markat tregtare, patentat, dizajnet industriale, treguesit gjeografikë dhe forcimin e mbrojtjes së të drejtave të autorit.
• Vendimi për Parandalimin e Gjeobllokimit të Pajustifikuar – i cili ka për qëllim të mbrojë konsumatorët gjatë praktikës për qasjen në përmbajtje, mallra ose shërbime, duke u bazuar në vendndodhjen gjeografike të përdoruesit, pa arsye të vlefshme.
• Vendimi për disiplinat që vendosin një sistem të përgjithshëm për njohjen e kualifikimeve profesionale – ky vendim lidhet me marrëveshjet për njohjen automatike të kualifikimeve profesionale, të cilat janë të nënshkruara në nivel të Kryeministrave dhe të ratifikuara në Kuvend. Ky vendim përshkruan procedurat për njohjen e kualifikimeve, në rastet kur nuk plotësohen kushtet për njohje automatike.
• Vendimi për lehtësimin e tregtisë së shërbimeve të ofruara nga agjencitë e udhëtimit dhe operatorët turistikë – që ka për qëllim njohjen reciproke të licencave të operatorëve turistikë dhe ofrimin e shërbimeve të tyre.
• Vendimi për Krijimin e Sistemit Elektronik për Lehtësimin e Menaxhimit të Riskut për Tregtinë e Mallrave – që ka të bëjë me lehtësimin dhe identifikimin e riskut gjatë shkëmbimit të mallrave në pikat kufitare/Doganat.
• Vendimi për Njohjen e Programeve të Operatorëve Ekonomikë të Autorizuar (AEO) – kjo do të thotë se edhe Kosova mund të dërgojë listën e Operatorëve Ekonomikë të Autorizuar nga Dogana e Kosovës, për validim në CEFTA.
• Vendimi për themelimin e organeve të CEFTA-s – ka për qëllim krijimin e një njësie të bashkëpunimit në kuadër të vendeve të CEFTA-s në fushën e dërgesave të parcelave, siç janë shërbimet postare.
• Vendimi për Shërbimet e Dorëzimit të Parcelave Ndërpalëshe – që lidhet me pikën e sapo përmendur dhe ka për qëllim përmirësimin e shërbimeve të dërgesave postare mes vendeve të CEFTA-s.
• Vendimi për ndryshimin e Funksionimit të Sekretariatit – që parashikon ndryshime në strukturën e sekretariatit.
• Rekomandimi për Lehtësimin e Sigurimit të Përgjegjësisë ndaj Dëmit ndërmjet Palëve të Treta, në kuadër të CEFTA-s – që mund të mundësojë njohjen e policave të sigurimit të Kosovës brenda CEFTA-s.