Lajme

Ministrja Hajdari priti në takim shefin e ri të Zyrës së BE-së, z. Aivo Orav

Prishtinë, 14/10/2024

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, priti në takim shefin e ri të Zyrës së BE-së në Kosovë, z. Aivo Orav, duke i uruar Ambasadorit suksese në mandatin e tij.

Gjatë bisedës, Ministrja Hajdari ritheksoi përkushtimin e palëkundur të Kosovës për integrimin në Bashkimin Evropian, duke theksuar reformat e rëndësishme të realizuara nga Qeveria deri më tani, përfshirë harmonizimin e legjislacionit me atë të BE-së.

Ministrja e njoftoi Ambasadorin se në kuadër të mandatit të MINT, janë hartuar dhe miratuar politikat sektoriale për zhvillimin e sektorit privat, 21 ligje dhe 49 akte nënligjore për përmirësimin e ambientit për të bërit biznes, të gjitha në përputhje me prioritetet strategjike dhe direktivat e BE-së.

Ambasadori Orav përgëzoi Ministren për progresin e arritur në proceset e drejtuara nga MINT, përfshirë konkludimin e negociatave për marrëveshjen tregtare me vendet anëtare të EFTA-s, si dhe miratimin e vendimit për ndryshimin e rregullave të procedurës në CEFTA në lidhje me largimin e UNMIK dhe përfaqësimin e Kosovës nga institucionet e saj në CEFTA.

Diskutimi përfshiu gjithashtu një mori marrëveshjesh të miratuara në takimin e fundit të Komitetit të Përbashkët të CEFTA-s, të rëndësishme për zbatimin e Tregut të Përbashkët Rajonal.