Lajme

Ministrja znj. Rozeta Hajdari mori pjesë në Konferencën ekonomike "Një Dekadë e Procesit të Berlinit”, në Budva të Malit të Zi

Prishtinë, 30/10/2024

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, mori pjesë në Konferencën Ekonomike "Një Dekadë e Procesit të Berlinit” më 22 dhe 23 tetor 2024, në Budva, Mali i Z

Gjatë diskutimeve në panelin ministror “Procesi i Berlinit - Mundësitë Ekonomike”, Ministrja Hajdari theksoi se Procesi i Berlinit, gjatë dekadës së fundit, ka ndikuar ndjeshëm në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në nxitjen e rritjes ekonomike, rritjen e bashkëpunimit rajonal dhe avancimin e integrimit evropian.

Ajo njoftoi se Kosova, si pjesëmarrëse aktive në Tregun e Përbashkët Rajonal (CRM), duke vazhduar zbatimin e zotimeve që rrjedhin nga ky proces, ka shënuar rritjen më të shpejtë ekonomike në Ballkanin Perëndimor, gjatë dekadës së fundit.

Lidhur me Agjendën e Lidhshmërisë, Ministrja Hajdari përmendi investimet qeveritare në projekte kyçe infrastrukturore që kanë forcuar integrimin rajonal dhe rritur konkurrencën, duke përmirësuar lëvizjen e mallrave, shërbimeve dhe njerëzve përtej kufijve.

Ajo vuri në theks ratifikimin e tri marrëveshjeve të nënshkruara në kuadër të Procesit të Berlinit – për lëvizjen e lirë me karta identiteti (ID) në Ballkanin Perëndimor, për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë brenda rajonit dhe njohjen e kualifikimeve profesionale për mjekët, stomatologët dhe arkitektët, sipas kornizës së Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA).

Ministrja theksoi gjithashtu, se Republika e Kosovës do të lejojë në mënyrë të njëanshme lëvizjen e lirë për qytetarët me ID të Bosnjës dhe Hercegovinës, duke filluar nga 1 janari 2025.

Në përputhje me standardet e BE-së, dhe sipas raportit të OECD “Perspektiva e Konkurrueshmërisë së Ballkanit Perëndimor 2024”, Kosova ka shënuar përparim pozitiv në 12 nga 15 dimensionet e politikave, duke tejkaluar mesataren e gjashtë ekonomive të Ballkanit Perëndimor (BB6) në pesë prej tyre.

Kosova është pozicionuar si lider rajonal në politikat tregtare dhe renditet e dyta në rajon për tërheqjen e investimeve të huaja direkte, sipas raportit të fundit nga FDI Intelligence.

Ministrja Hajdari shprehu pikëpamjet e Kosovës mbi Planin e Veprimit për CRM 2 (2025-2028), duke e cilësuar atë si një kornizë solide për rritje të qëndrueshme dhe integrim rajonal, me prioritet transformimin dixhital, inovacionin dhe zhvillimin e gjelbër, në përputhje me prioritetet e BE-së.

Në përgjigje të pyetjes së fundit të panelit ministror, lidhur me përmirësimin e bashkëpunimit rajonal, Ministrja Hajdari theksoi se sfidat kryesore mbeten eliminimi i barrierave jotarifore (NTB) dhe harmonizimi i standardeve teknike në rajon, veçanërisht në fushat e lehtësimit të tregtisë dhe thjeshtimit të procedurave doganore.