Ministrja Hajdari mori pjesë në konferencën “Krijimi i Fondit të Inovacionit të Kosovës: Prezantimi i Gjetjeve Fillestare dhe Hapat e Ardhshëm”
Prishtinë,
31/10/2024
Konferenca “Krijimi i Fondit të Inovacionit të Kosovës: Prezantimi i Gjetjeve Fillestare dhe Hapat e Ardhshëm”, e organizuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), në bashkëpunim me projektin #EnInGeP, mblodhi sot përfaqësues të institucioneve, akademisë, bizneseve, si dhe ekspertë ndërkombëtarë e vendorë të inovacionit.
Ministrja Rozeta Hajdari hapi këtë konferencë, duke theksuar se Kosova ka një potencial të shkëlqyer për përshpejtimin e inovacionit, me një popullatë të re që gjithnjë e më shumë po orienton interesimet rreth edukimit dhe ngritjes së aftësive në drejtimet e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës (STEM).
Ajo përmendi vizitën e saj te aktorët kryesorë të mbështetjes së inovacionit në Austri, përvoja e të cilëve mundësoi identifikimin e opsioneve për zhvillimin e sistemit qeverisës të qëndrueshëm për kërkimin dhe inovacionin në vendin tonë.
Gjatë theksimit të ekosistemit të ndërmarrësisë në rritje, me shumë akterë mbështetës edhe nga sektori privat, ajo përmendi disa nga masat e realizuara nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, me investime kapitale për zgjerim hapësirash dhe mbështetje financiare për subjektet dhe individët që kryejnë veprimtari inovatore dhe për zhvillimin e ekosistemit inovativ.
Ministrja Hajdari tha se Kosova është një vend lider edhe për industrinë kreative në Ballkanin Perëndimor. Ajo veçoi sektorin dixhital dhe të teknologjisë, që po nxit kreativitetin dhe inovacionin në sektorë të ndryshëm industrialë prodhues.
Zbatimi i Politikës Industriale 2030, ndër të tjera, përfshin objektiva specifike për përmirësimin e inovacionit të produktit drejt prodhimit me vlerë më të lartë të shtuar, për dixhitalizimin e prodhimit dhe përdorimin e teknologjisë së avancuar për prodhimin e gjelbër, si dhe për forcimin e lidhjeve me ofruesit e shërbimeve vendase të lidhura me industrinë.
Finalizimi i Projektligjit për Inovacion dhe Ndërmarrësi përfshin krijimin e Fondit të Inovacionit, si një mekanizëm mbështetës për veprimtaritë inovative dhe ndërmarrësinë, në kuadër të Agjencisë së re për Inovacion dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve, që kontribuon në zhvillimin ekonomik, punësim të denjë, zhvillimin e inovacionit, mjedis të pastër dhe shfrytëzim më të mirë të burimeve natyrore në vendin tonë.
Progresi i arritur gjatë kësaj qeverisjeje, në avancimin e politikave dhe reformave ligjore në përputhje me legjislacionin e BE-së dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, si dhe në thjeshtimin e procedurave dhe rritjen e mbështetjes financiare për të bërë biznes në mënyrë të drejtë, adaptuese dhe konkurruese, të drejtuar nga inovacioni dhe prodhimi, dëshmon për rritjen ekonomike të vazhdueshme në vendin tonë, theksoi Ministrja Hajdari.
Ambasadori i Austrisë, Georg Schnetzer, vuri në pah mbështetjen e Austrisë për zhvillimin ekonomik dhe inovacionin në Kosovë, duke theksuar se investimi në inovacion është thelbësor për një të ardhme të qëndrueshme.
Drejtoresha Rajonale e CARE International, Sumca Bucan, nënvizoi përkushtimin për fuqizimin e grave dhe të rinjve, duke theksuar rëndësinë e miratimit të legjislacionit për funksionalizimin e Fondit të Inovacionit.
Në këtë ngjarje ishin të pranishëm përfaqësues të lartë nga MINT dhe MASHT, Ambasada Austriake dhe Agjencitë Ndërkombëtare për Zhvillim – ADA, Lux Dev dhe SDC, Universiteti i Prishtinës dhe ndërmarrës nga sektori privat, duke krijuar një platformë unike për të diskutuar të ardhmen e inovacionit dhe teknologjisë në Kosovë.