U mbajt punëtori gjysmë-ditore në kuadër të konferencës "Krijimi i Fondit të Inovacionit të Kosovës"
Prishtinë,
31/10/2024
Në kuadër të Konferencës “Krijimi i Fondit të Inovacionit të Kosovës: Prezantimi i Gjetjeve Fillestare dhe Hapat e Ardhshëm”, u mbajt një panel diskutimi i frytshëm me përfaqësues të lartë vendorë dhe ekspertë austriakë nga agjencia kombëtare e financimit për kërkimin dhe zhvillimin industrial në Austri (FFG), i udhëhequr nga z. Kujtim Dobruna, partner menaxhues i ECIKS, me pjesëmarrësit:
• Dr. Sabine Mayer, Departamenti i Strategjisë, Agjencia Austriake për Promovimin e Kërkimeve, FFG
• Dr. Brigit Tauber, Drejtuese e Departamentit të Programeve të Përgjithshme, FFG
• Anita Kovacic, Kryeshefe Ekzekutive, Raiffeisen Bank Kosova
• Prof. Dr. Arben Hajrullahu, Rektor i Universitetit të Prishtinës
• Zef Dedaj, U.d. Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve / MINT
• Yllza Mehmeti, U.d. Udhëheqëse e Divizionit për ITT, Departamenti i Shkencës dhe Teknologjisë / MASHT.
Në këtë panel u diskutuan proceset vendore dhe përvojat austriake në financimin e kërkimeve dhe zhvillimit industrial, me rekomandime për hapat e ardhshëm për themelimin dhe mirëfunksionimin e Fondit për Inovacion.
Konferenca e sotme vazhdoi me një punëtori gjysmë-ditore me përfaqësim nga zyrtarë të MINT dhe ekipeve të projekteve EnInGeP me financim nga ADA dhe KSV023 me financim nga Lux Dev. Në këtë punëtori, ekspertë të jashtëm të angazhuar nga EnInGeP dhe ekspertë të FFG-së prezantuan gjetjet kryesore të studimit të udhërrëfyesit, kornizën operacionale dhe qeverisjen e Fondit për Inovacion në Kosovë.
Ky fond përfaqëson një mekanizëm të rëndësishëm qeverisës, që pritet të forcojë bashkëpunimin mes industrisë, akademisë, organizatave dhe institucioneve vendore e partnerëve ndërkombëtarë, drejt zhvillimit të qëndrueshëm në Kosovë.