Lajme

Ministrja Hajdari mori pjesë në hapjen e "showroom-it" të Volvo EX90 nga Automita në Kosovë

Prishtinë, 22/11/2024

Gjatë fjalës hyrëse, ministrja Hajdari e përgëzoi familjen Mita për punën e palodhshme që rezultoi me sjelljen e makinës Volvo EX90 në Kosovë, model i cili u prezantua për herë të parë në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe kështu duke e vendosur Kosovën në hartën e Volvo markës 100-vjeçare të automjeteve luksoze, e pozicionuar në treg si markë botërore që sillet rreth sigurisë dhe trashëgimisë së dizajnit suedez me praktika miqësore për mjedisin.

Marka Volvo si sinonim i sigurisë, inovacionit dhe teknologjisë së pastër, me modelin e ri elektrik Volvo EX90 që po prezantohet, shënon një hap të rëndësishëm drejt një të ardhmeje të ndritur me zhvillim të qëndrueshëm për Kosovën, tha ndër të tjera ministrja.

Ministrja theksoi se hapja e këtij showroom-i modern është një hap i rëndësishëm që tregon përkushtimin tonë të përbashkët, për të ofruar produkte dhe shërbime të cilësisë së lartë, si dhe për të promovuar sigurinë dhe praktikat miqësore me mjedisin.

Në kuadër të avancimit të politikave dhe reformave legjislative gjatë këtij mandati qeverisës, për një mjedis më të favorshëm për të bërë biznes, rritjen e inovacionit dhe nxitjen e mbrojtjen e investimeve, ministrja Hajdari nënvizoi raportet e fundit kredibile të OECD-së dhe FDI Intelligence, që konfirmojnë se Kosova renditet e para në Ballkanin Perëndimor për politikat në lehtësimin e tregtisë, e dyta në rajon dhe e pesta në botë për tërheqjen e investimeve, duke forcuar kështu pozitën e saj si një vend i sigurt dhe konkurrues, për të bërë biznes të drejtë dhe investime të përgjegjshme të drejtuara kah prodhimi dhe inovacioni.

Kosova po luan një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në arenën botërore të tërheqjes së investimeve të drejtuara kah prodhimi dhe inovacioni.

Prezenca e Volvo EX90 në Kosovë, për herë të parë në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, do të kontribuojë në ngritjen e imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke forcuar pozicionin e vendit në tregjet botërore të investimeve me teknologji të avancuara dhe miqësore për mjedisin.