Kompani të sektorit të ICT-së nga Kosova marrin pjesë në panairin “Slush 2024” në Helsinki
Prishtinë,
22/11/2024
Kompani nga Kosova prezantuan potencialin e tyre në fushën e teknologjisë informative në panairin prestigjioz “Slush 2024”, që u mbajt në Helsinki të Finlandës, nga 20 deri më 21 nëntor 2024.
Me mbështetjen e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përkatësisht Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), kompanitë: Tenton, Banaku, Astech, Appbites, Tretek, XY Cyber, KehaRing dhe Connected Inventions prezantuan produktet dhe shërbimet e tyre para audiencës ndërkombëtare të profesionistëve dhe investitorëve.
Stenda e Kosovës tërhoqi vëmendje të madhe nga vizitorët duke reflektuar interesimin e komunitetit global për inovacionet që ofrojnë këto kompani në sektorin e ICT-së.
Ky panair, i cili është një ndër më të mëdhenjtë për startup-e dhe teknologji, është një platformë ideale për ndërmarrjet kosovare që të forcojnë pozicionin e tyre në tregjet ndërkombëtare dhe të krijojnë lidhje të reja biznesore.
Në kuadër të vizitës në Finlandë, delegacioni i Kosovës ka zhvilluar takime edhe me përfaqësues të qeverisë finlandeze, përkatësisht të Ministrisë së Punëve të Jashtme të këtij vendi. Një takim i rëndësishëm u zhvillua me znj. Inkeri Virtanen-Abernethy, udhëheqëse për Ballkanin Perëndimor, ku u diskutua mbi promovimin e Kosovës si një destinacion atraktiv për investime të huaja, si dhe për mundësitë në rritje që ofron industria e ICT-së, eksporti dhe turizmi i vendit.
Pjesëmarrja në panaire si “Slush” është dëshmi e përkushtimit të Kosovës për të qenë në hap me zhvillimet globale, duke krijuar kështu një bazë më të fortë për rritjen ekonomike dhe integrimin në tregjet ndërkombëtare.