Parku Industrial 2 në Drenas: Hapësirë për zhvillimin e ekosistemit të inovacionit në prodhim
Prishtinë,
25/11/2024
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, së bashku me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot vendosën gurthemelin e Parkut Industrial 2 – Parku i Përgjithshëm në Drenas, një hap i rëndësishëm drejt mbështetjes së industrisë prodhuese dhe përpunuese, me fokus në inovacion.
Ky park modern, me një investim prej 7.7 milionë euro dhe një sipërfaqe prej 36.5 hektarësh në pronësi të Qeverisë, është inicuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) përmes agjencisë KIESA dhe u themelua më 13 qershor 2024, me vendim të Qeverisë. Ai pritet të akomodojë rreth 50 ndërmarrje prodhuese dhe përpunuese, të cilat do të kontribuojnë në zhvillimin e ekonomisë qarkore dhe teknologjive të gjelbra.
Ministria ka realizuar një sërë projektesh kapitale të rëndësishme gjatë vitit 2024. Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë tenderuar projekte me vlerë të përgjithshme prej 10.3 milionë euro, për:
• Parkun Industrial në Lipjan
• Parkun Industrial në Rahovec
• Parkun e Biznesit në Mitrovicë
• Parkun e Përgjithshëm në Podujevë
• Renovimin e Parkut Teknologjik në Shtime
Aktualisht, Ministria është duke zhvilluar proceset për marrjen e pëlqimeve për parqe të reja industriale në komuna të tjera, si dhe për shpalljen e procedurave të prokurimit për projektin kapital Inkubatori i Biznesit në Pejë.
Me ndërtimin e infrastrukturës moderne në këto parqe industriale dhe teknologjike, Ministria synon krijimin e ekosistemeve ndërmarrëse që përqendrohen në prodhim dhe inovacion. Këto projekte do të ndihmojnë në krijimin e një ekonomie më të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, duke hapur rrugë për bashkëpunim dhe zhvillim të mëtejshëm.
Parku Industrial 2 në Drenas është një qendër potenciale për bashkëpunim dhe inovacion, duke kontribuar për një të ardhme më të mirë për qytetarët dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.