Lajme

Ministrja Hajdari, mori pjesë në Konventën e 7-të të Industrisë së Drurit

Prishtinë, 26/11/2024

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, mori pjesë në Konventën e 7-të të Industrisë së Drurit, duke shënuar një moment të rëndësishëm për këtë sektor kyç të ekonomisë së Kosovës.

Ministrja Hajdari, gjatë fjalës së saj theksoi se industria e drurit përfaqëson një komponent të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik, social dhe mjedisor të vendit duke shtuar se përmes rritjes së vazhdueshme dhe përmirësimit të eksporteve, ky sektor ka ndikuar drejtpërdrejt në uljen e deficitit tregtar dhe ka shënuar suksese të mëdha në tregjet ndërkombëtare si Zvicra, Gjermania, Italia, SHBA dhe rajoni më i gjerë.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në bashkëpunim me Shoqatën e Përpunuesve të Drurit dhe akterë të tjerë të industrisë dhe akademisë, ka hartuar Strategjinë për Zhvillim Industrial dhe Mbështetje të Biznesit – Politika Industriale 2030. Kjo strategji, pjesë e Agjendës së Reformave të Kosovës dhe Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor të BE-së, ka identifikuar industrinë e drurit dhe të mobiljeve si një “Yll në rritje” me potencial të lartë për zhvillim, duke kontribuar me 10% në Vlerën e Shtuar të Produktit dhe 20% të punësimit në sektorin përpunues, potencoi Ministrja Hajdari.

Ajo tha se MINT ka mbështetur vazhdimisht ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme të këtij sektori përmes skemave financiare për avancimin e teknologjisë, standardizimin, certifikimin, dixhitalizimin dhe pjesëmarrjen në panaire ndërkombëtare si Swiss Bau, Stockholm Furniture dhe panairi i Selanikut.

Gjithashtu, Ministrja Hajdari tha se me përfundimin e negociatave për Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë me vendet e EFTA-s, industria e drurit do të përfitojë qasje të plotë në tregjet e Zvicrës, Lihtenshtajnit, Norvegjisë dhe Islandës. Kjo marrëveshje pritet të nënshkruhet në Forumin Ekonomik Botëror në Davos në janar 2025, duke krijuar mundësi të reja për eksportuesit dhe prodhuesit kosovarë.

MINT mbetet e përkushtuar në mbështetjen dhe fuqizimin e industrisë së drurit si një shtyllë e rëndësishme e zhvillimit ekonomik të vendit tonë.