Reagim zyrtar lidhur me deklaratën e CorrWatch
Prishtinë,
27/11/2024
Lidhur me pretendimet e shfaqura nga CorrWatch për procesin e rekrutimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Akreditimit në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), sqarojmë si më poshtë:
1. Përputhshmëria me legjislacionin
Procesi i rekrutimit është zhvilluar në përputhje të plotë me Ligjin për Zyrtarët Publikë dhe rregulloret përkatëse. Çdo hap i ndjekur, përfshirë verifikimin paraprak, është bazuar në kriteret dhe procedurat e përcaktuara në shpalljen e konkursit
2. Verifikimi paraprak i kandidatëve
Komisioni i përzgjedhjes ka kryer një vlerësim të kujdesshëm të dosjeve të kandidatëve duke respektuar standardet e transparencës dhe profesionalizmit. Të gjithë kandidatët e përfshirë në listën e ngushtë kanë kaluar fazën e verifikimit sipas kritereve të përcaktuara.
3. Pjesëmarrja e palëve të interesit
Procesi ka qenë i hapur dhe gjithëpërfshirës. Pretendimi se CorrWatch nuk është ftuar për të marrë pjesë në fazat përfundimtare të procesit nuk ka bazë ligjore, pasi ky institucion nuk përbën pjesë të komisioneve të përzgjedhjes apo të procedurave të rekrutimit.
4. Konsideratat mbi anulimin e procesit
Bazuar në shqyrtimin tonë të brendshëm dhe konsultimet me ekspertë të fushës, nuk ekzistojnë arsye ligjore për anulimin e procesit. Çdo pretendim për shkelje është i abazuar dhe nuk ndikon në vlefshmërinë e rezultateve përfundimtare.
MINT mbetet e angazhuar për të zhvilluar procese të drejta, transparente dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi. Ne ftojmë të gjitha palët e interesuara, përfshirë CorrWatch, që të kontribuojnë me prova konkrete dhe jo të cenojnë integritetin e një procesi legjitim përmes pretendimeve të pabaza.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT)