Lajme

Inovacioni si shtytës vendimtar drejt suksesit të ndërmarrjeve për të qëndruar konkurruese

Prishtinë, 17/12/2024

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, sot mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjeve me 34 ndërmarrje përfituese të skemës së granteve për inovacion. Kjo skemë synon të mbështesë ndërmarrjet mikro, të vogla, të mesme (NMVM) dhe startup-et në financimin e projekteve që përfshijnë zhvillimin e produkteve, shërbimeve ose proceseve të reja apo të përmirësuara – duke përfshirë edhe përmirësimin e metodave të prodhimit.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), në bashkëpunim me LuxDev dhe projektin KSV/023, ka investuar 1.9 milionë euro në këtë skemë e ndarë në Lot 1 për NMVM-të dhe Lot 2 për Start-up-et.

Sot, 34 NMVM përfituese nga Lot 1, do të fillojnë projektet e tyre me përkrahje financiare deri në 40,000euro ose maksimumi deri në 50% të kostos së projektit inovativ.

Ministrja Hajdari ndër të tjera tha "Ky bashkëpunim ndërmjet institucioneve vendore dhe partnerëve ndërkombëtarë është një shembull i shkëlqyer se si mund të rrisim efektshmërinë e përkrahjes ndaj shpalosjes së potencialit të sektorit privat, për të arritur të shndërrohet në një shtytës për zhvillim social, ekonomik dhe mjedisor në Kosovë. Me investime të tilla, synojmë që ndërmarrjet vendore të ofrojnë produkte me vlerë të lartë të shtuar për tregun vendor dhe ndërkombëtar dhe punësim të denjë për të rinjtë tanë."

Ministrja Hajdari vuri në theks suksesin e ndërmarrësve që sjell ndikim në zhvillim të qëndrueshëm të vendit dhe përmirësimin e mirëqenies socio-ekonomike të qytetarëve tanë!

Duke iu dëshiruar sukses të gjithëve, ajo njëherit i inkurajoj të gjitha ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme dhe start-up-et vendore, që të aplikojnë edhe në thirrjet e hapura deri me 24 janar 2025, për të përfituar nga fondet mbështetëse të Qeverisë së Luksemburgut ndaj sektorit privat në Kosovë.

Këto fonde janë veçanërisht të rëndësishme për ndërmarrjet që kërkojnë kapital për të përshpejtuar zgjidhjet e tyre përmes inovacionit.

Për më shumë informacione dhe për të aplikuar: https://www.luxaidbusiness4impact.lu/opencall-kosovo

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, do të vazhdoj mbështetjen ndaj ndërmarrjeve me nisma inovative për të qëndruar konkurruese.