Lajme

Zejtaria, trashëgimi e lashtë e kulturës sonë

Prishtinë, 23/12/2024

Gjatë fundjavës, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari mori pjesë në hapjen e Ekspozitës Dimërore të Zejtarisë, e organizuar nga Oda Ekonomike e Ndërmarrësve dhe Zejtarëve në Prizren në bashkëpunim me Dhomën e Zejeve Koblenz.

Zejtaria në Kosovë ka qenë e zhvilluar që në kohërat e vjetra. Zejtarët me punimet e tyre artizanale kanë ndikuar në zhvillimin ekonomik të qyteteve, ku zejet kanë qenë të ndara sipas vendit dhe ku në qytetet me zejtari të zhvilluar ende ekziston ndarja e rrugëve ose pjesëve të qytetit sipas llojit të zanateve, si në Pejë, Gjakovë, Prizren, Prishtinë, Mitrovicë, Vushtrri, Janjevë, Gjilan.

Ministrja Hajdari vuri në pah rëndësinë e ruajtjes së traditës dhe kulturës së lashtë në epokën digjitale, duke theksuar se zhvillimi i zejtarisë dhe promovimi i artizanateve tradicionale jo vetëm që kontribuojnë në ruajtjen e vlerave kulturore, por edhe në rritjen e punësimit dhe të ardhurave kombëtare.

Ministrja Hajdari kujtoi se ligji për Zejtarinë 2004 / 44 nuk ishte ndryshuar/plotësuar që nga viti 2004, duke lënë shumë zeje, që dikur ishin bartës të zhvillimit ekonomik, pa mbështetje dhe në rrezik të zhduken në Kosovë.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) gjatë këtij mandati, ka përcaktuar objektivat strategjike dhe specifike dhe ka ofruar mbështetjen për skemës së granteve në fushën e zejtarisë, të lansuar në këtë vit, nga Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA).

Projektligji i ri për zejtarinë, tashmë i hartuar nga MINT, do të rregullojë veprimtarinë dhe kushtet për kryerjen e veprimtarisë zejtare. Me ligj do të rregullohet emërtimi i industrive artizanale, dhënia e titullit artizan, certifikimi i produkteve artizanale, bazat e edukimit dhe aftësimit sipas nevojave të ushtrimit të veprimtarive zejtare, si dhe masat mbështetëse për nxitjen e veprimtarive artizanale.

Ministrja Hajdari theksoi se ky projektligj ka për synim jo vetëm ruajtjen e trashëgimisë kulturore, por edhe lidhjen e artizanatit me teknologjinë bashkëkohore dhe inovacionin, duke e bërë këtë sektor më të qëndrueshëm dhe konkurrues.

Duke uruar zejtarët për suksese në punën e tyre, Ministrja Hajdari siguroi se Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë do të vazhdojë të mbështesë këtë sektor përmes skemave të granteve dhe promovimit në panairet vendore dhe ndërkombëtare.