U mbajt konferenca vjetore e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë
Prishtinë,
31/12/2024
Në këtë ngjarje të rëndësishme, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, bashkë me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, zhvilluan një diskutim të hapur me mbi 400 ndërmarrje pjesëmarrëse. Temat kryesore përfshinin progresin e përbashkët në zhvillimin e industrisë vendore, promovimin e investimeve dhe eksporteve, si dhe ndikimin pozitiv në rritjen e punësimit dhe të ardhurave kombëtare.
Në vijim të konferencës, përmes një paneli diskutimi ku morën pjesë Drejtori nikoqir Zef Dedaj, Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë, Agron Lllugaliu, Drejtor i Doganës së Kosovës dhe Besnik Berisha, Drejtor i Fondit Kosovar për Garantimin e Kredive, u shpalos përkrahja financiare ndaj bizneseve në vitin 2024 dhe mbështetja në rritje e planifikuar gjatë vitit 2025, me synim që sektori privat të jetë shtytësi kryesor për zhvillim të përgjithshëm të vendit tonë.
Për herë të parë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka një Politikë Industriale me vizion që deri në vitin 2030 industria e Kosovës do të transformohet në një industri më të integruar globalisht që është në gjendje të prodhojë produkte me vlerë të lartë të shtuar dhe ofroj punësim të denjë.
Objektivat dhe mbështetja ndaj sektorit privat nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, synojnë të sjellin diversifikimin ekonomik nëpërmjet zgjerimit të prodhimit industrial drejt aktiviteteve me vlerë më të lartë të shtuar, përmirësim të konkurrencës dhe kapaciteti inovativ, që rezulton në rritjen e potencialit të eksportit dhe përmirësimin e bilancit tregtar, si dhe përshpejtimin e transformimi dixhital në sektorin privat dhe në prodhim.
Këto objektiva po i realizojmë përmes sjelljes së reformave të shumëpritura në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) dhe përafrimit të legjislacionit me Acquis të BE-së dhe me konventat ndërkombëtare përkatëse, për përmirësimin e ambientit për të bërit biznes të drejtë, nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve, lehtësimin e tregtisë, mbrojtjen e konkurrencës, fuqizimin e mbrojtjes së pronësisë industriale, zhvillimin e inovacionit dhe ndërmarrësisë, reformën në mbikëqyrjen e tregut, mbrojtjen e konsumatorit dhe për turizmin e qëndrueshëm.
Mbështetja për bizneset gjatë këtij viti 2024, ka vazhduar edhe me reformat dhe investimet kapitale në funksionalizimin e parqeve industriale dhe teknologjike efektive për ndërmarrjet vendore dhe investitorët nga diaspora dhe të huaj.
Finalizuam ndërtimin e infrastrukturës fizike dhe sollem në funksion parqet industriale në Viti, Shirokë dhe Vushtrri, me investimet kapitale prej 1.3 milion €.
Filluam ndërtimet, të infrastrukturës fizike për funksionalizim të tre parqeve industriale - në Lipjan, Rahovec dhe në Mitrovicë, me investimet kapitale në vlerë prej 6.2 milion €, tani në vazhdim.
Themeluam dhe tani në proces të fillimit të ndërtimit të infrastrukturës fizike të parkut industrial në Podujevë, me investime kapitale në vlerë prej 3.5 milion €.
Themeluam dhe filluam ndërtimin e infrastrukturës fizike të parkut industrial 2 në Drenas, me investime kapitale në vlerë rreth 7.7 milion €.
Finalizuam ndërtimin e inkubatorit të biznesit në Malishevë dhe renovimi i Parkut Teknologjik në Shtime, me investime kapitale në vlerë prej rreth 300,000 €.
Themeluam inkubatorin e biznesit në Universitetin Haxhi Zeka, në Pejë.
Kurse sot, nënshkruan edhe 15 marrëveshjet e skemës së fundit mbështetëse për inovacion për këtë vit 2024, në mes agjencisë KIESA dhe ndërmarrjeve përfituese start up, duke arritur kështu numrin e
308 ndërmarrjeve përfituese me grante për avancim të makinerisë, certifikim, dixhitalizim, artizanate, dhe
180 ndërmarrjeve të mbështetura për pjesëmarrjen në dhjetëra panaire ndërkombëtare. për promovim të 1000 produkteve dhe shërbimeve nga sektorët industrial prioritar prodhues dhe nga industria shërbyese - TIK dhe turizmi.
Kjo ngjarje u organizua nga Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, si një nga agjencitë kryesore për mbështetjen ndaj ndërmarrjeve vendore.
Pjesëmarrja e ndërmarrësve në ngjarjen e sotme, ishte dëshmi e bashkëpunimit të ngushtë në mes Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe sektorit privat.
Historitë e tyre të suksesit, nga zgjerimi i prodhimit industrial, rritja e cilësisë dhe certifikimit të produkteve të njohura ndërkombëtarisht, rritja dhe diversifikimi i tregjeve të eksporteve deri të gjenerimi i punësimit më të mirë, tregojnë ndikimin e jashtëzakonshëm që kemi arritur së bashku.
Me angazhimin dhe përkushtimin e ndërmarrësve vendor dhe mbështetjen e ofruar nga masat qeveritare, jemi duke ndërtuar një të ardhme më të ndritur për Kosovën.
Ndërmarrjet vendore në rritje si yje, janë shtytës për zhvillim ekonomik, social dhe mjedisor për të kontribuar në mënyrë më efektive në zhvillimin e përgjithshëm të vendit tonë.