Lajme

Për një shoqëri më të sigurt në vendin tonë

Prishtinë, 31/12/2024

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari bashkë me Ministrin e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, z. Xhelal Sveçla, morën pjesë në ceremoninë e inaugurimit për herë të parë të laboratorit për ekzaminimin e kompjuterëve dhe videove në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë dhe ri-akreditimit të 6 laboratorëve tjerë të kësaj agjencie.

Akreditimi përkatësisht vlerësimi i konformitetit është një shtyllë kyçe e ekonomisë moderne. Akreditimi jo vetëm që siguron që produktet dhe shërbimet që ofrohen të jenë të cilësisë së lartë, por gjithashtu garanton sigurinë e konsumatorit dhe mbështet zbatimin e ligjit. Në këtë mënyrë, akreditimi luan një rol të drejtpërdrejtë në luftimin e krimit dhe arritjen e drejtësisë për një shoqëri më të sigurt.

U.d. Drejtori i Përgjithshëm në Drejtorinë e Akreditimit të Kosovës (DAK) z. Irfan Lipovica ia dorëzoi U.d Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë e Kosovës për Forenzikë (AKF), z. Ilir Kukaj, çertifikatën e akreditimit për 7 laboratorët me 47 metoda shkencore të punës.

Me pajisje të teknologjisë më të avancuar dhe një ekip të trajnuar ekspertësh, laboratorët e AKF do të shërbejnë për hetimin dhe zbardhjen e të vërtetës së rasteve penale, duke ofruar prova të besueshme dhe të pakontestueshme për sistemin e drejtësisë.

Drejtoria e Akreditimit të Kosovës (DAK) në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka progres në akreditimin e gjithsejtë 67 trupave të vlerësimit të konformitetit (TVK), prej tyre 18 trupa inspektues dhe 49 laboratorë testues.

"Ky është një tregues i kapaciteteve të fuqishme që kemi ngritur, por puna jonë nuk ndalet këtu. Gjatë këtij viti, kemi ngritur skemën e akreditimit për certifikim të produkteve dhe kemi lansuar thirrjen e hapur në vazhdimësi për këtë akreditim. Dhe, në gjashtmujorin e parë të vitit 2025 do të ngrisim dhe lansojmë edhe skemën e akreditimit për certifikim të profesionistëve të fushave të ndryshme. Kjo është një arritje për zbatueshmërinë e standardeve dhe ngritjen e cilësisë, duke i dhënë mundësi profesionistëve të akreditohen për zhvillim të mëtejm në profesionin e tyre", theksoi Ministrja Hajdari.

Ministrja Hajdari falënderoi ekipet e DAK dhe AKF për bashkëpunimin e ngushtë dhe të gjithë ata që kanë kontribuar në procesin e akreditimit të laboratorëve të AKF nga DAK. Ajo tha se përveç kontributit në sistemin tonë të drejtësisë, laboratorët e AKF kanë një rol kyç në ndërtimin e besimit të qytetarëve në institucionet tona.

Ministrja Rozeta Hajdari theksoi rëndësinë e institucioneve profesionale në forcimin e sigurisë dhe drejtësisë në vend, duke nënvizuar: “Përmes provave të ndershme dhe analizave profesionale, do të vazhdojmë të luftojmë krimin dhe të mbrojmë qytetarët tanë, duke forcuar besimin e publikut në institucionet tona dhe duke ndërtuar një shoqëri më të sigurt për të gjithë.”