Lajme

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut sot mbylli 17 subjekte me veprimtari të ndryshme të jashtëligjshme

Prishtinë, 15/01/2025

Sot me datë 15.01.2025 me qëllim të mbrojtjes së interesit publik, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe me zyrtarë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, kanë realizuar një aksion të gjerë inspektimi në disa rajone të Republikës së Kosovës, tek subjektet të cilët ushtrojnë veprimtari të jashtëligjshme - objektet komunale, postat, zyrat tatimore dhe të gjitha objektet tjera të institucioneve paralele.

Aksioni i përbashkët ka rezultuar me inspektimin e dhjetrave subjekteve të inspektuara, prej të cilave 17 prej tyre kanë ushtruar veprimtari të ndryshme të jashtëligjshme. Prandaj, sipas kompetencave ligjore Inspektorët e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut kanë bërë mbyllje të 17 subjekteve të mbikëqyrura, përkatësisht kanë ndaluar ushtrimin e veprimtarisë së tyre në tërë territorin e Republikës së Kosovës, për shkak të mos regjistrimit të subjekteve dhe mungesës së pëlqimit/aktvendimit për plotësimin e kushteve minimale teknike.

Po ashtu, ndaj subjekteve të inspektuara që ushtronin veprimtarinë e tyre në kundërshtim me ligjet në fuqi, janë shqiptuar edhe 17 masa ndëshkuese sipas legjislacionit në fuqi të Republikës së Kosovës.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari ka falenderuar të gjithë zyrtarët e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, Policinë e Kosovës dhe zyrtarët e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, për aksionin e sotëm me shumë sukses në mbrojtje të vendit dhe shoqërisë sonë.

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut do të vazhdoj punën duke u bazuar në legjislacionin në fuqi, ku aktivitetet e kryera dhe masat e marra kanë për qëllim për të siguruar që subjektet dhe produktet janë në përputhje me kërkesat ligjore të përcaktuara në legjislacionin përkatës dhe nuk rrezikojnë shëndetin, sigurinë ose çështje të tjera që lidhen me mbrojtjen e interesit publik, tha ndër të tjera Ministrja Hajdari.