Në Davos MINT nënshkroi Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shteteve të EFTA-së
Prishtinë,
23/01/2025
Në Davos, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, së bashku me Kryeministrin, z. Albin Kurti, nënshkroi Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shteteve të EFTA-së.
Marrëveshja e Tregtisë së Lirë me shtetet anëtare të EFTA-së përfshin kapituj shumë të rëndësishëm për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe forcimin e mëtejshëm të partneritetit të Kosovës me shtetet e EFTA-së, duke filluar nga kapitulli për tregtinë e mallrave, tregtinë e shërbimeve, të drejtat e pronësisë intelektuale, lehtësimin e tregtisë, konkurrencën dhe tregtinë në zhvillime të qëndrueshme.
Ministrja Hajdari thekson se, për dallim nga vendet e rajonit, të cilat kanë nënshkruar më herët një marrëveshje të tillë, Republika e Kosovës është i vetmi vend në rajon që, përveç kapitullit të tregtisë së mallrave, ka negociuar edhe kapitullin e tregtisë së shërbimeve në këtë marrëveshje!
Ministrja Hajdari uroi industrinë vendore prodhuese dhe shërbyese, ndërmarrësit e vyeshëm dhe të gjithë qytetarët për këtë hap historik për ekonominë dhe tregtinë e Republikës së Kosovës!