Ministrja Hajdari ishte në vizitë te ndërmarrja prodhuese InterAlumin në Pejë
Prishtinë,
28/01/2025
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, ishte sot në vizitë të ndërmarrja prodhuese InterAlumin në Pejë, për të parë nga afër punën e prodhuesve vendor, që po e vendosin Kosovën në hartën botërore.
InterAlumin merret me prodhimin e dyerve dhe dritareve nga alumini dhe plastika, për tregun vendor dhe ndërkombëtar, duke sjellë në funksion teknologjinë e avancuar në prodhim dhe inovacionin në produkte me vlerë të shtuar.
Ministren Hajdari e mirëpriten pronarët e kësaj ndërmarrjeje Agron Bilalli dhe Dren Mulhaxha bashkë me punëtorët. Gjatë bisedës Ministrja Hajdari theksoi angazhimin e deritanishëm të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, për hartimin dhe miratimin e politikave dhe mbështetjen e vazhdueshme për industrinë vendore. Ministrja i njoftoi edhe për instrumentet e reja mbështetëse ndaj industrisë prodhuese, si mundësi të mira për shpalosjen e potencialit të industrisë vendore dhe përshpejtimin e integrimit me produktet e tyre me vlerë në zinxhirin global të vlerës.