Lajme

Edhe një arritje drejt dixhitalizimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Kosovë

Prishtinë, 20/02/2025

Sot, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, së bashku me Ambasadorin e Austrisë në Kosovë z. George Schnetzer dhe ekipet e agjencive KIESA dhe ADA, shënuan një sukses të radhës në dixhitalizimin e 29 ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme - prej tyre 50% në pronësi të grave.

Ministrja Hajdari theksoi se përmes Skemës së Granteve për Dixhitalizim, e mbështetur nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë ( KIESA) dhe në bashkëpunim me projektin EnInGeP, të financuar nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim (ADA), ndërmarrjet përfituese do të kenë një sërë mundësish për të përmirësuar performancën, për të nxitur inovacionin, për të rritur produktivitetin dhe për të konkurruar në një bazë më të barabartë në tregun vendor e ndërkombëtar.

Në një kohë kur dixhitalizimi dhe inovacioni janë shtytësit kryesor të rritjes ekonomike, 29 ndërmarrjet përfituese të kësaj skeme, do të kenë mundësi të përfitojnë shërbime të avancuara në fushat e:

• Marketingut dixhital,

• Burimeve njerëzore,

• E-tregtisë dhe platformave të shitjeve online,

• Menaxhimit të marrëdhënieve me klientët (CRM) dhe planifikimit të burimeve të ndërmarjeve (ERP), dhe

• Automatizimit dhe optimizimit të proceseve të biznesit

Kjo është faza e dytë e projektit EnInGeP me komponentën e Inciativës për Fuqizim Digjital, nga i cili projekt kanë pëfituar edhe 33 ndërmarrje tjera, në fazën e parë.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), është e përkushtuar me politikat e shëndosha dhe instrumentet mbështetëse, të shpalos potencialin e ndërmarrjeve vendore, që janë shtytësit kryesor për zhvillim ekonomik, social dhe mjedisor në vendin tonë, tha Ministrja Hajdari.

Në këtë qëllim, Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë në kuadër të MINT, do të lansojë thirrjet e radhës, gjatë këtij fillim viti, për mbështetjen financiare ndaj ndërmarrjeve vendore, për dixhitalizim, inovacion, avancim të teknologjisë, standardizim dhe certifikim, për rritjen e konkurrueshmërisë dhe integrimin e tyre në tregun ndërkombëtar.

 

 

 

 

 

+4