Ministrja Hajdari shprehu mirënjohje për kontributin e jashtëzakonshëm të grave në shoqëri, institucione dhe çdo dimension të jetës
Prishtinë,
08/03/2025
Në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Gruas - 8 Marsi, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, bashkë me zv. sekretaren, drejtoreshat, udhëheqëset dhe zyrtaret e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, shprehën mirënjohjen për kontributin e jashtëzakonshëm të grave në shoqëri, institucione dhe çdo dimension të jetës.
Me këtë rast, Ministrja Hajdari tha se me vizionin, përkushtimin dhe guximin e tyre, gratë e vendit tonë kanë dhënë kontribut të lartë në arsim, shkencë, shëndetësi, kulturë, ekonomi, politikë dhe çdo fushë tjetër, duke sjellë ndryshime domethënëse në zhvillim demokratik të shoqërisë dhe progres të vendit tonë.
Fuqia, talenti dhe përkushtimi i grave meritojnë të vlerësohen e të festohen, jo vetëm sot, por çdo ditë!
"Le të vazhdojmë të mbështesim dhe fuqizojmë njëra-tjetrën, duke ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe një mjedis me mundësi të barabarta, ku çdo grua e arrin potencialin e saj të plotë. Le të festojmë sukseset e deritanishme dhe të punojmë së bashku, për një të ardhme më të ndritur për të gjitha gratë dhe shoqërinë tonë!", theksoi Ministrja Hajdari në mesazhin e saj për Ditën Ndërkombëtare të Gruas.