MINT financon ndërtimin e Inkubatorit të Biznesit në Pejë në vlerë 3.2 milionë euro
Prishtinë,
14/04/2025
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, me synim zhvillimin e ekosistemit të inovacionit dhe krijimit të bashkëpunimit në mes industrisë dhe akademisë, me ndikim në përshpejtimin e rritjes së startup-eve dhe teknologjive në zhvillim, përmes zgjerimit të hapësirave për ndërmarrësit e rinj dhe inovatorët e qytetit të Pejës, dhe më gjerë, me 30 korrik 2024 mori vendimin për themelimin e Inkubatorit të Biznesit në kuadër të Universitetit “Haxhi Zeka” (UHZ), në një hapësirë prej rreth 6.6 hektarë të komunës së Pejës.
Ndërsa sot, me Kryetarin e Komunës së Pejës z. Gazmend Muhaxheri, nënshkruam Marrëveshjen e Bashkëpunimit, për realizimin e projektit ‘’Ndërtimi i Inkubatorit të Biznesit në Pejë’’ me investime kapitale prej 3.2 milion euro për vitet 2025 – 2027, nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT)¸ përmes Agjencisë KIESA.
Ky Inkubator i Biznesit, do të certifikohet si një Park për Inovacion dhe Teknologji, në përputhje me Ligjin për Parqet Industriale dhe Teknologjik dhe pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Inovacion dhe Ndërmarrësi.
Ministrja Hajdari tha se Parku për Inovacion dhe Teknologji në Universitetin “Haxhi Zeka”, do të jetë një qendër kyçe në rajonin e Dukagjinit, për zhvillimin e ekosistemit të inovacionit dhe aftësive të harmonizuara me kërkesat e tregut, nëpërmjet krijimit të lidhjeve të bashkëpunimit në mes institucioneve të arsimit të lartë (AL) dhe arsimit e aftësimit profesional (AAP), si dhe aktiviteteve që lidhen me teknologjinë e avancuar dhe zhvillimin e prototipeve në funksion të industrisë.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë mbetet e përkushtuar që, në bashkëpunim të ngushtë me komunat dhe akterët tjerë, të krijojmë kushte sa më të favorshme për zhvillim ekonomik, nxitje të inovacionit dhe krijimi të një ekosistemi të qëndrueshëm të ndërmarrësisë në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës.